Për Edi Ramën, faji asnjëherë nuk është në anën e tij, por gjithmonë tek të tjerët.
Edhe mbrëmjen e sotme kështu ndodhi, kur Rama takoi deputetët e emëruar si opozitë e tij.
Duke vazhduar me lojën politike, kreu i mazhorancës e gjeti fajtorin për situatën tek opozita e vërtetë, ajo që dogji mandatet e për një sistem më të mirë.
‘Natyrisht nuk gjetëm dakordësi.
Në fakt unë i nënkuptoj përfaqësuesit e opozitës parlamentare, ndjehen të përjashtuar, të fyer, për faktin që pasi janë denigruar dhe janë fyer në mënyrë sistematike nga ta që i kanë sjellë në parlament me firmat e tyre, gjenden përpara nevojës për të respektuar një marrëveshje që e konsiderojnë të padenjë dhe mbi të gjitha detyruese nga jashtë parlamentit, për parlamentin.
Megjithatë ajo që mendoj se është e rëndësishme, është që të vazhdojmë të diskutojmë.
Më vjen keq që dëgjova në tryezë akuza edhe për tentativa për blerje, apo për influenca jo korrekte mbi deputetët.
Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë, por edhe në adresën tonë, dhe unë ju sigurova që ne nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhjeje, ku thjesht dhe vetëm do të kërkojmë aritmetikën, por do të shkojmë në rrugën e një diskutimi, për të krijuar kushtet e një dakordësie’, tha Rama.
~