Henze:Opozita e bashkuar është bileta e hyrjes në BE

E Enjte, 18 June 2020 11:31

Këshilltari ekonomik i CDU-së, Martin Henze: Presidenti është garanci për Kushtetutën e Shqipërisë. Jam i impresionuar se si ai kundërshton sulmet antidemokratike të qeverisë “Rama” Këshilltari ekonomik pranë grupimit politik qeverisës në Gjermani, CDU, Martin Henze, ka komentuar situatën politike dhe ekonomike që po kalon Shqipëria. Z.Henze vlerëson se opozita e bashkuar e kryesuar nga Partia Demokratike e Lulzim Bashës dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e Monika Kryemadhit, është bileta e shqiptarëve për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Dr. Henze, në intervistën e mëposhtme për gazetën Koha Jonë, shpreh shqetësim për mënyrën si është katandisur ajo që më 2016 nisi si reformë në drejtësi e votuar nga të gjitha palët. Henze vëren se "sundimi i ligjit dhe sistemi demokratik është frenuar nga mosfunksionimi i gjykatave më të larta në Shqipëri".

 

Po ashtu ai konstaton se "për 3 vjet është kryer një sulm thelbësor mbi strukturën kushtetuese nga qeveria “Rama”, duke përfshirë ndryshimet ligjore, një proces ky unik në historinë ligjore botërore". Në këtë pikë, dr.Henze pohon se "si rregull, një qeveri e tillë duhet të ishte në burg për tradhti", kurse jep parashikim të zymtë kur thotë se "askush nuk e di se kur do të rivendoset sundimi i ligjit".

You May Like

Nyje të shëndetshme në 7 ditë! Asnjë mjek ose kirurgji!
Mgid
Intervista e plotë

Në Shqipëri nuk ka Gjykatë Kushtetuese apo Gjykatë të Lartë, dhe këtë vlerësim për këtë çështje kanë si Presidenti Meta, ashtu dhe BE-ja, Gjermania, etj. A mendoni se z. Rama do të reflektojë për situatën e krijuar, apo do të gjendet një zgjidhje pas zgjedhjeve?

Henze: Gjithmonë më pëlqen të shikoj veprat konkrete, jo deklaratat e qeverive. Siç tha profeti Gjon mbi 2000 vjet më parë: “Ju duhet t’i njihni ata me veprat e tyre!” Ju lutem, më lejoni të bëj disa komente të shkurtra. Shumë aktorë, përfshirë ambasadat, e kanë përshkruar të suksesshme të ashtuquajturën reformën në drejtësi. Problemi është që zonjat dhe zotërinjtë shikojnë letrat, teknologjinë dhe jo rezultatet, domethënë në veprat. Një qeveri me të vërtetë demokratike duhet të sigurojë prosperitet, liri dhe paqe për sovranin, popullin dhe të mbështesë njerëzit në ushtrimin e të drejtave të tyre njerëzore. Çdo person, qoftë një grua, një burrë, një djalë apo një vajzë, ka të drejta të patjetërsueshme që duhet të mbrohen nga një Gjykatë Kushtetuese, një Gjykatë e Lartë, një shtyp i lirë. Një shtyp i lirë, si një mur korrigjues dhe mbrojtës për pakicat është thelbësor për funksionimin e demokracisë. Unë shoh shtypin e lirë si elementin katërt në një shtet, krahas gjyqësorit, parlamentit dhe qeverisë. Sundimi i ligjit dhe sistemi demokratik është frenuar nga mosfunksionimi i gjykatave më të larta në Shqipëri. Për 3 vjet është kryer një sulm thelbësor mbi strukturën kushtetuese nga qeveria “Rama”, duke përfshirë ndryshimet ligjore, një proces ky unik në historinë ligjore botërore. Si rregull, një qeveri e tillë duhet të ishte në burg për tradhti. Askush nuk e di se kur do të rivendoset sundimi i ligjit. Askush nuk e di se kur dhe si mund të nis zhbllokimi i mbi 45,000 çështjeve në gjykata e larta. Si rezultat kemi një shtet një partiak, pa kontroll gjyqësor, pa siguri juridike ka që nën drejtimin e qeveris “Rama” e ka kthyer Shqipërinë në qendrën kryesore ndërkombëtare për trafikun e kokainës, heroinës, trafikimin e qenieve njerëzore dhe pastrimin e parave. Shtetet që pastrojnë parat mbështesin drejtpërdrejt terrorizmin ndërkombëtar. Rama mban përgjegjësi politike për këtë. Në Europë thuhet: “Në Shqipëri dhia është bërë roje e kopshtit”. Qeveria “Rama” paraqet një rrezik për sigurinë, gjë që njihet dhe nga ambasadori amerikan në Tiranë.

Sërish më duhet të bëj një sqarim. Çdo reformë gjyqësore ka arsyen dhe justifikimin se përse bëhet. Edhe në Irak, ku u krye një reformë gjyqësore gjatë luftës civile, amerikanët, me ndihmën e ekspertëve kushtetues evropianë, bënë një punë të shkëlqyeshëm, ku gjykatat më të larta ishin gjithnjë të paprekura; gjyqtarët u kontrolluan në mënyrë të përsëritur hap pas hapi dhe u zëvendësuan rast pas rasti. Paralelisht, administrimi i drejtësisë në Irak u rishikua dhe u reformua. Çfarë dobie sjell rishikimi i gjykatave nëse elementi thelbësor, administrata gjyqësore, nuk kontrollohet dhe kualifikohet. Në Shqipëri administrimi i drejtësisë nuk ka qenë në fokus dhe kjo e rëndon edhe më shumë situatën. Një reformë gjyqësore nuk mund të kryhet në një mënyrë më joprofesionale dhe të gabuar. Ky ishte një gabim organizativ dhe përgjegjësia politike për këtë qëndron vetëm te qeveria “Rama” dhe PS, por sigurisht edhe te njerëz si Gent Ibrahimi, kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP.

Asnjë manovër teknike nuk e rikthen reformën dhe zgjedhjet parlamentare janë instrumenti që mund të rivendosë besimin dhe pranimin e saj. Në thelb, kemi një çrregullim serioz të sistemit shqiptar, kjo edhe si pasojë e këshilltarëve të instrumentalizuar nga qeveria dhe ambasadori i BE-së, Soreca, si dhe ish-ambasadori gjerman Dr. Schütz, që mirëpriti të ashtuquajturat suksese të reformës, nën moton: “Sepse nuk mund të jetë asgjë, nëse nuk mund të jetë”.

Si lind ky çrregullim?

Më lejoni të bëj dy sugjerime këtu:

1.Jashtë vendit: Dëshira për një zgjidhje sa më të thjeshtë dhe perfekte nuk do të vdesë kurrë. Si rregull, çdo zgjidhje krijon një problem të ri. Dhe kjo për shkak të limiteve të të menduarit njerëzor. Arsyeja pse të huajt nuk mund ta shihnin më parë këtë zhvillim shumë të qartë në Shqipëri është për shkak të asaj që ne i quajmë rutina njohëse në shkencë. Këto janë programe tipike të vëzhgimit neurologjik, në të cilat rezultatet janë më pak interesante se vetë procesi. Kështu duhen parë dhe deklaratat e disa përfaqësuesve të huaj dhe ambasadorëve se: “Progresi i reformës në drejtësi në Shqipëri mund të shihet”, “Shqipëria do të jetë shembulli i përsosur i një reforme të suksesshme gjyqësore, do të jetë një vend model në BE”. Në vend që të përqendrohen në rezultatin e reformës në drejtësi, rënien e sundimit të ligjit dhe prishjen e të gjithë sistemit parlamentar, përqendrimi i tyre është vetëm në fillimin e procesit, fillimin e reformës ligjore, pra, ata janë në një rutinë njohëse. Është tipike për rutinat njohëse që personi në fjalë nuk e regjistron rezultatin ad hoc dhe ky është një çrregullim i perceptimit absolut.

2.Qeveria Rama: Përveç kësaj, sigurisht që ekziston edhe fakti që në një analizë të përgjithshme, qeveria “Rama” është në një pozicion të veçantë që ka një strukturë shkatërruese. Kush përfiton në Shqipëri kur sundimi i ligjit nuk ekziston më?! Kush duhet të ketë frikë nga gjykatat, prokurorët dhe një Gjykatë Kushtetuese që vlerëson pajtueshmërinë me Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut? Përgjigja: Rama dhe Mafia.

Çfarë duhet të bëhet?

Në situatën aktuale ligjore dhe humbjen absolute të besimit të gjithë shqiptarëve te vullneti i qeverisë dhe këshilltarëve të saj në BE për reforma, fokusi i vetëm mund të jetë narrativa e demokracisë; zgjedhjet e reja. Si rezultat, një kompromis për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve duhet të negociohet midis të gjitha partive politike, në interes të shtetit shqiptar. BE ka hartuar një plan 15-pikësh për këtë. Gjëja kryesore tani është: Miratimi i një ligji zgjedhor demokratik. Kjo tani është bërë duke futur kufizime shtesë të bashkësisë ndërkombëtare kundër qeverisë “Rama”. Të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në procesin demokratik si të lirë dhe të barabartë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Republikën e Shqipërisë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet liria. Ndërkohë, ende nuk është krijuar një zgjidhje e përkohshme për Gjykatat e Larta. Është koha që z. Rama, z. Balla dhe të tjerët nga qeveria shqiptare t’i shpjegojnë publikut shqiptar dhe evropian nëse, në bashkëpunim me mafian, kanë manipuluar zgjedhjet parlamentare të 2017 dhe në këtë mënyrë a përfaqësojnë një qeveri jolegjitime dhe një shoqatë kriminale të lidhur me mafien. Sidoqoftë, ata nuk e bëjnë këtë dhe policët dhe prokurorët, të cilët kanë hetuar çështjen në bashkëpunim me autoritetet e huaja të sigurisë, duhet të kërkojnë azil jashtë vendit. Në të vërtetë, këto pyetje ligjore duhet të sqarohen dhe këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjen Rama dhe të tjerët. Një nga kërkesat në programin e 15 pikave të BE-së është hetimi kundër partisë që qeveris, PS. Në këtë drejtim, Rama duhet të tërhiqet nga të gjitha funksionet zyrtare dhe të bëjë paqe me të gjithë.

Do të ishte mbyllje sysh para realitetit, nëse dikush do të mohonte se Shqipëria ka hyrë në një krizë serioze, mbase fatale, se Shqipëria aktualisht nuk ka një shtet kushtetues, nuk ka demokraci, dhe po përballet me humnerën ekonomike dhe ligjore të shoqërisë, dhe e politizimi dhe instrumentizimi i drejtësisë nga qeveria “Rama” janë rezultati. Megjithatë, shteti demokratik kushtetues kërkon respektimin e ligjit. Nuk ka asnjë shtet ligjor ku çdo gjë ti lihet qeverisë. Për t’u rikthyer te pyetja juaj fillestare. Tani është e nevojshme të zhvillohen njëherësh zgjedhje parlamentare dhe lokale në vitin 2020, në mënyrë që paqja dhe besimi i popullit shqiptar te qeveria dhe parlamenti të mund të rikthehet. Kjo është thelbësore për një negociim të suksesshëm me Evropën. Me një Shqipëri të paqëndrueshme, që është në prag të falimentimit social dhe ekonomik dhe që është në mes të shndërrimit në një diktaturë, nuk mund të ketë negociata të suksesshme me BE.

Rama dëshiron të kultivojë kanabis në Shqipëri për arsye mjekësore, a mendoni se mund të jetë i rrezikshëm në Shqipëri dhe a mund të ketë probleme në BE?

Edhe në Gjermani, kanabisi është i licencuar për prodhim mjekësor. Sidoqoftë, çdo gjë është në kontroll absolut. Prodhimi kontrollohet rreptësisht nga shteti. Por në Shqipëri kemi të bëjmë me një qeveri të korruptuar, siç thotë gazeta BILD, me një qeveri mafioze “Rama”, që shkel Kushtetutën; një administratë qeveritare të korruptuar, e cila dominohet nga përfaqësues të partisë në pushtet, ata nuk kanë asnjë shtet kushtetues funksional, asnjë ndarje të kompetencave, asnjë sistem gjyqësor funksionues, asnjë sistem shëndetësor funksionues. Si i tillë, nuk mund dhe nuk do të ketë kontroll mbi prodhimin mjekësor të kanabisit në Shqipëri nën këtë qeveri. Ky shembull tregon se Rama nuk ka aspak ide se si mund të organizohet politika ekonomike dhe sociale në Shqipëri, në mënyrë që familjet shqiptare të kenë mbrojtje dhe një të ardhme. Zgjidhja që jep Rama është rritja e kultivimit të drogës, trafiku i drogës. Kjo qeveri është absolutisht e paaftë të qeverisë këtë vend, një turp, një katastrofë dhe projekti është një humbje absolute për ne evropianët në kushtet aktuale.

Ne në Shqipëri shikojmë nga Gjermania, por a është vërtet e rëndësishme Gjermania?

Gjermania është zhvilluar shumë mirë për 75 vjet dhe ka ndërtuar një demokraci dhe ekonomi shembullore, në një identitet pan-Evropian. Por tani që Evropa është në krizë, Gjermania duhet të krijojë një aleancë që nuk i shet Rusisë dhe Kinës dhe nga ana tjetër, ka një strategji për Evropën dhe atë që ne e quajmë Bashkimin Europian. Gjermania, si vendi më i madh dhe më i pasur në Evropë, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të udhëheqë dhe ne do ta bëjmë atë.

A duhet që Shqipëria të përmbahet në drejtim të BE-së dhe Gjermanisë?

…Shqipëria i përket historisë dhe gjeografisë së Evropës. Ne gjermanët kemi një miqësi të ngushtë me kombin shqiptar. Ne dhamë gjakun e ushtarëve tanë, në vitin 1999, për të mbrojtur kombin shqiptar, veçanërisht në Kosovë, kundër kriminelit të luftës Millosheviç dhe miqve të tij, ministrit të tij të Propagandës, Vuçiçit, kryeministrit të sotëm të Serbisë. Shqipëria i përket BE-së, ashtu si edhe Kosova. Një Serbi e madhe dhe një Shqipëri e madhe nuk pranohen, as Rama.

Në sytë tuaj, cila është kriza e koronës përtej faktit se është një pandemi e pa parashikueshme?

Për mua, kjo do të thotë tronditje historike, një ndryshim mes Globalizimit 1.0 dhe Globalizimit 2.0. Globalizimi i parë ishte një narrativë optimiste: tregtia e lirë, demokracia, klasa e mesme, një botë bashkëpunuese dhe shfaqja e një elite globale. Globalizimi i dytë, megjithatë, ka një ton krejtësisht të ri: bota po bëhet dixhitale dhe jeshile dhe më demokratike. Virusi corona ka një forcë unifikuese: në Shtetet e Bashkuara, ne po e shohim tani demonstrata, brenda Evropës programe të fuqishme të mbështetjes dhe integrimit, pas tronditjes dhe konfuzionit fillestar që njohin evropianët, në kriza në nevojë për komunitetin në BE dhe jo populizëm të shekullit XIX, i cili ka çuar në dy luftëra të tmerrshme dhe Holokaustin, duke sjell Luftën e Ftohtë midis fuqive të mëdha.

Si e përjetoni krizën e koronës në Gjermani?

Ne kemi një kancelare të guximshëm që e di se çfarë do të thotë komunizëm dhe mungesë e demokracisë. Në këtë drejtim, Rama duhet të tregohet i kujdesshëm me sugjerimet e tij të miqësisë për Angela Merkelin. Një person që mund të ketë qenë në burg në 1994 dhe është mbajtur në pushtet nga mashtrime elektorale dhe që është në shkelje të përhershme të Kushtetutës, nuk është një mik i yni. Rama nuk është mik i BE-së dhe Gjermania nuk është mike e Ramës. Si kryeministër i zgjedhur aktualisht, ai natyrisht është krahas autokratëve të tjerë në botë një partner dialogu, por, siç thashë, jo një shok. Opozita është një parti motër e Partive Popullore Europiane. Ne europianët mund të themi: këta janë miqtë tanë politikë, sidomos lideri i tyre, Lulzim Basha. Është një personalitet politik që mund të çojë Shqipërinë në BE. Opozita e bashkuar, si garant i Shqipërisë së lirë, është bileta politike e hyrjes së kombin shqiptar në BE. Një garanci tjetër për Kushtetutën është Presidenti Ilir Meta. Unë jam i impresionuar se si ai kundërshton sulmet antidemokratike të qeverisë “Rama” kundër Kushtetutës dhe të drejtave të lirisë dhe pa u lodhur përpiqet të krijojë paqe midis kampeve politike. Meta është një atdhetar i vërtetë.

Kriza e koronës është situata më e vështirë ekonomike, kriza më e rëndë që nga ekzistimi i Republikës Federale të Gjermanisë. Sidoqoftë, Shqipëria është shumë më keq dhe në thelb është e falimentuar nëse nuk ka ndonjë ndryshim politik. Situata është absolutisht ekzistenciale në të gjithë botën. Në Gjermani, 7 milionë njerëz janë në punë me kohë të shkurtër dhe ne presim që produktet bruto kombëtare të bien midis 7-10%. Duhet të shmanget sa më shumë papunësia. Programet e stimulimit ekonomik dhe të ndihmës në Gjermani, të cilat kanë një vëllim të përgjithshëm prej pothuajse 2 trilionë euro, janë plotësuar me gati 2 trilionë euro nga BE dhe paketat e ndihmës nga 15 vendet e tjera anëtare të BE-së, 3 trilionë euro të tjera, dhe angazhimi i Bankës Qendrore Europianë. Ndihma është e orientuar drejt konvertimit teknologjik, ne vendosim qëllime strategjike në krizë, sidomos me dixhitalizimin dhe mbrojtjen e klimës. Unë mendoj se me këto programe, Gjermania dhe Evropa do të jenë vendet lider pas 2 vjetësh, kontinenti kryesor në të gjithë botën për sa i përket digjitalizimit dhe teknologjive mjedisore, ky është qëllimi ynë. Evropa do të zvogëlojë varësinë e saj nga Kina. Projekti i Kinës komuniste, i ashtuquajturi Rruga e Mëndafshit, ka vdekur. Kjo gjithashtu do të thotë që zinxhirët e prodhimit do të vendosen më shumë në Evropë. Shumë vende të Bashkimit Evropian në jug dhe në lindje do të përfitojnë nga kjo nëse thelbi ekonomik i Evropës: ekonomitë gjermane dhe franceze prodhojnë më shumë në Evropë. Bota do të shikojë dhe të vijë në Evropë dhe jo në Kinë, ShBA. Transformimi i Gjermanisë dhe zona më e fuqishme ekonomike në botë, Bashkimi Evropian, tani është në zhvillim e sipër dhe do të jetë i suksesshëm. Pra, Shqipëri, ky është shansi yt.

Si e shikoni krizën e koronës në Shqipëri?

Një katastrofë absolute. Një turp. Nuk ka statistika të vërteta mbi infeksionet me korona. Nuk është testuar sa duhet. Nuk ka rehabilitim për pacientët me korona. Prandaj, do të ketë vdekje shtesë nga ish-pacientët me koronë në muajt e ardhshëm, edhe pse nuk kanë simptoma aktive të virusit. Edhe rezultatet në patologji gjithashtu nuk janë regjistruar siç duhet. Në Shqipëri askush nuk e di se çfarë po ndodh vërtet. Lufta ndaj pandemisë fillon me diagnostikim dhe jo me izolim total dhe tanke. Në këtë aspekt, nuk u bë lufta e duhur kundër pandemisë në Shqipëri, mbrojtje e popullatës dhe mjekëve, gjë që është një krim kundër popullit shqiptar, kundër të ardhmes së fëmijëve shqiptarë. Për më tepër, pas 7 viteve qeverisë “Rama”, struktura mjekësore e Shqipërisë ka rënë në nivelin e vendeve më të varfra në Afrikë. Në të vërtetë, duhet të shtrohet pyetja: ku shkoi ndihma ndërkombëtare, sigurisht jo për kujdesin shëndetësor të Shqipërisë. Krizës ekonomike që solli pandemia i mungon ekspertiza e politikave ekonomike. Ekonomia shqiptare ka të ngjarë të ketë një rënie prej 20-30% të produktit kombëtar bruto dhe shkallë të konsiderueshme papunësie. Kjo mund të sjellë largim të shqiptarëve pas muajit korrik. Në këtë drejtim, ekonomia shqiptare do të goditet më pas nga një tronditje e dytë. Kjo duhet të parandalohet. Shqipërisë i duhet një qeveri e re e unitetit kombëtar. Së bashku me opozitën e bashkuar shqiptare, ne kemi hartuar module të përshtatshme për rindërtim ekonomik dhe shoqëror dhe kemi besim të madh në opozitën e bashkuar se ata do të formojnë të ardhmen e Shqipërisë pozitivisht dhe opozita e bashkuar ka mbështetjen më të plotë të Partive Popullore Evropiane.

Ne nuk do ta lëmë Shqipërinë të veçuar nga Evropa, ne do të ofrojmë mbështetje të fortë dhe të hapim dyert e BE për ekonominë shqiptare. Një kapitull tjetër i historisë së Shqipërisë, do të hapet me një zgjedhje të re që u ofron shqiptarëve mundësi të reja dhe e bën Shqipërinë një vend më të mirë

Login to post comments