Pas refuzimit të Partisë Socialiste për të bërë një propozim që reflekton dokordësinë e 5 Qershorit, Opozita ka bërë sot një propozim të ri për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Edhe ky propozim është në përputhje me formulën e certifikuar nga Komisioni i Venecias për zgjedhjen e anëtarëve të organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Opozita thotë se vendosi ta bëjë këtë hap për të mos futur në ngërç procesin, përsa kohë PS refuzoi që përzgjedhja e trupës së KQZ të niste me Avokatin e Popullit, siç ndodh edhe me organet e drejtësisë.
Propozimi i ri ka tre shtylla kryesore:
1. Çon të gjithë procesin e përzgjedhjes në Kuvend,
2. Reflekton dakortësinë e datës 5 Qershor
3. Ruan formulën e certifikuar nga Komisioni i Venecias për Reformën në Drejtësi
Opozita thekson se propozimi synon ruajtjen e pavarësisë dhe profesionalizmit të KQZ së re, si dhe garancitë e palëve politike që përzgjedhja të mos jetë e njëanshme, por e balancuar dhe konsensuale.
Opozita vë në dukje se Partia Socialiste nuk është treguar e gatshme për kompromis gjatë diskutimit të çështjes. Ajo i ka qendruar propozimit të saj të muajit shkurt, i cili i siguron maxhorancës emërimin e të gjithë trupës së KQZ-së me një proces të pastër politik. PS propozon që anëtarët e KQZ-së të propozohen nga çdo deputet dhe të përzgjidhen nga një komision i përbërë nga grupet parlamentare, të cilat PS i kontrollon.
‘Me shpresën se ndajmë qëllimin e përbashkët për të ecur përpara me këtë proces dhe për ta konkluduar kodifikimin e 5 qershorit pa vonesa, duke qenë se është edhe 1 nga 15 kushtet që Shqipëria duhet të përmbush në kuadër të procesit të negociatave me BE, propozojmë që Këshilli Politik të mblidhet për të vijuar punën, sot, më datë 18 Qershor, ora 17:00’ – mbyllet shkresa e opozitës drejtuar Partisë Socialiste.