Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në PD, Arben Kashahu zbulon se dy europarlamentarë në seancën e sotme në PE kanë propozuar që Shqipërisë t’i ndërpriten negociatat dhe ndihma financiare nga BE.
Sipas Kashahut raportet BE- Shqipëri janë në pikën më të ulët gjatë këtyre 30 viteve të fundit teksa thotë se për herë të parë janë artikuluar pozicione drastike me tone të ashpra kritike ndaj qeevrisë.
Kashahu shton se Shqipëria u etiketua në mbledhje si vendi më i korruptuar në Eurpë teksa shton se tashmë është detyrë kombëtare të shpëtohet procesi i integrimit duke larguar qeverinë euroskeptike.
Reagimi nga Arben Kashahu
Marrëdhëniet BE-Shqipëri janë në pikën më të ulët gjatë këtyre 30 vjetëve.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian, në seancën e posacme për Shqipërinë për herë të parë janë artikuluar pozicione drastike me tone të ashpra kritike në lidhje me raportet BE-Shqipëri. Dy nga euro-parlamentarët, anëtarë të AFET propozuan që Shqipërisë “t’i ndërpriten negociatat me BE” dhe “të ndalohet menjëherë ndihma financiare e BE”. Europarlamentarë të tjerë e etiketuan Kryeministrin dhe qeverinë si “të ashpër me mediat dhe të lëmuar me kultivuesit dhe trafikantët e drogës”.
Përpjekjet dhe kokëfortësia e mazhorancës për të ndryshuar ligjin për mediat u konsiderua “e turpshme”, ndërsa ri-mbjellja e Shqipërisë me kanabis “e papranueshme”. Shqipëria u konsiderua shprehimisht si vendi “më i korruptuar” në Europë.
Mos-ndjekja penale e krimit elektoral dhe e politikanëve të mazhorancës të përfshirë në blerjen dhe manipulimin e votës dhe deformimit të vullnetit popullor është raportuar si zhgënjyese dhe është kërkuar të monitorohet me vëmendje të shtuar nga Komisioni Europian. Shembja e Teatrit Kombëtar u dënua njëzëri nga europarlamentarët dhe u kërkua “të investigohet ligjshmëria e këtij veprimi të qevrisë”. Është detyrë kombëtare të shpëtohet procesi i integrimit! Kjo detyrë fillon me largimin e kësaj qeverie euroskeptike.