Teksa u ndal te ftesa zyrtare që i ka dërguar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi për takim urgjent, Presidenti Ilir Meta tha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët se Shqipëria nuk do të kishte mbetur asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese, nëse ky takim nuk do të ishte minuar më herët.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit u shpreh se nëse një gjë e tillë do të kishte ndodhur, as opozita nuk do ta kishte braktisur Parlamentin, si dhe do të ishin çelur negociatat e Shqipërisë me BE.
“Nuk kemi çfarë te negociojmë, duhet të bashkëpunojmë. Por duhet të parandalojmë problemet me shortin në KED, me legjitimitetin e KED dhe me bllokimin e këtij institucioni. Nëse nuk do të ishte minuar ky takim më herët, Shqipëria asnjë sekondë s’do të kishte mbetur pa Gjykatë Kushtetuese funksionale. Madje, opozita s’do të kishte pasur asnjë lloj pretendimi për t’u larguar nga Parlamenti, pasi do ta kishte rrugën për të shkuar në Kushtetuese, por edhe negociatat do të ishin çelur me kohë. E kam thënë dhe më parë që ne po lëmë nam me Gjykatën Kushtetuese, pasi ka qenë kusht ngritja e saj.
Nuk dua të kthehem pas, pasi nuk kemi kohë për të humbur, por dua urgjentisht që të gjitha institucionet të lexojnë me vëmendje raportin e Venecias. unë do ua dërgoj të gjithëve edhe vlerësimet e mia, si dhe i mirëpres të gjithë të më sjellin zyrtarisht se çfarë sugjerojnë ata nga rekomandimet e Venecias, që duhet t’i përmbush unë. Do t’i përmbush me shpejtësinë më të madhe. Kjo është fryma e bashkëpunimit, e seriozitetit. Nuk duhej kurrsesi të vendosej ky kusht nga BE, por u vendos se nuk ka asnjë vend të botës pa Gjykatë Kushtetuese.
Jam i sigurt që ne do të jemi një shtet serioz dhe i besueshëm, së pari nga qytetarët tanë që të mos largohen më nga vendi, si dhe nga investitorët. Ky është momenti i fundit për të ringritur besimin te shteti ligjor dhe përgjegjshmëria e çdo individi dhe institucioni”, deklaroi Presidenti.