Presidenti Ilir Meta u pyet gjatë bashkëbisedimit me gazetarët nëse ka komunikuar me homologun kosovar, Hashim Thaçi, dhe kreun e PDK, Kadri Veseli, pas vendimit të Gjykatës së Hagës për të ngritur akt-akuzë për krime lufte.
Meta tha se ka komunikuar me Thaçin dhe Veselin, duke shtuar se ata kanë gjithë qetësinë për të përballuar me dinjitet këtë sfidë.
“Nuk është momenti të merremi me drejtësinë ndërkombëtare. Më duhet të them se të gjithë drejtuesit kryesor të UCK që janë akuzuar i kanë fituar të gjitha betejat me drejtësinë ndërkombëtare dhe të gjithë e dimë shumë mirë se pala që është dënuar më shumë, madje që jo vetëm është dënuar më shumë, por që nuk është dënuar aq sa duhet, e dimë kush është. E theksoj se është momenti për urtësi, unitet, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e kudo tjetër. Natyrisht se nuk është momenti për të ushqyer mosbesim ndaj aleatëve tanë perëndimor, që kanë qenë dhe janë me popullin e Kosovës, shtetin e pavarur të Kosovës. Sigurisht që kam pas komunikime me Presidentin Thaçi dhe kryetarin Veseli dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe jam i bindur se ata kanë gjithë qetësinë për të përballuar me dinjitet këtë sfidë”, tha Meta.