Nga Ilir Meta
Prita sot Koordinatorin Rezident të OKB-së dhe Përfaqësues i Përhershëm i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin në Shqipëri, z.Brian Williams, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në vendin tonë.
E falenderova për bashëpunimin dhe asistencën që agjencitë e OKB-së në Shqipëri kanë dhënë nën koordinimin dhe drejtimin e tij në fusha të rëndësishme të jetës ekonomike e sociale të vendit.
Vlerësova reformat e guximshme të ndërmarra në Sistemin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin, me qëllim ofrimin e një asistence më efektive, me më pak burokraci dhe me më shumë fokus tek njerëzit, si dhe implementimin e tyre me sukses edhe në vendin tonë.
Theksova rëndësinë e përshpejtimit të arritjeve të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030 për Shqipërinë, që përputhen edhe me objektivin tonë strategjik për integrimin në BE.
Ndamë të njëjtat vlerësime se mirëqeverisja dhe sundimi i ligjit; zhvillimi i një ekonomie gjithëpërfshirëse dhe e gjelbër; dhe investimi në kapitalin njerëzor duhet të mbeten prioritete kryesore të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për Shqipërinë.
Shpreha mirënjohjen për rolin e Agjencive të KB në Shqipëri në promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe ofrimin e mbështetjes për institucionet shqiptare në zbatimin e rekomandimeve të organizmave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Vlerësova gjithashtu synimin për rritjen e investimeve për mbrojtjen sociale.
Në mënyrë të veçantë falenderova Koordinatorin Rezident, z.Williams, si dhe të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri për mbështetjen ndaj institucioneve shqiptare dhe shtresave të ndryshme të prekura të popullatës në luftën kundër COVID-19.
Duke ju referuar faktit se ky vit shënon 75-vjetorin e themelimit të KB, që përkon edhe me 65-vjetorin e pranimit të Shqipërisë në OKB, sugjerova për të punuar së bashku për një kalendar aktivitetesh, jo vetëm për të përkujtuar këto ngjarje të rëndësishme, por edhe për të bërë një bilanc të bashkëpunimit të shkëlqyer të Shqipërisë me OKB-në.