PD:Vjedhja 1.2 miliard euro me koncesionin Milot-Fier, 20 milionë euro për kilometër për rrugë dhe autostrada ekzistuese.

E Enjte, 09 July 2020 12:04

 

PD ka reaguar përmes drejtorit të kabinetit, Dorian Teliti lidhur me koncesionin e fundit të qeverisë, atë të rrugës Milot-Fier. Në një deklaratë për mediat nga rrethrrotullimi I Thumanës, Teliti tha se ky koncension është një vjedhje skandaloze dhe e papranueshme.

“Këtu rruga ekziston në formën e saj më të mirë, që prej vitit 2013, megjithëse qeveria nuk e mirëmbajti asnjëherë, siç nuk ka mirëmbajtur rrugë të tjera që i gjeti gati në çdo cep të vendit.” U shpreh Teliti.

Deklarata e plotë:
Ndodhem sot pranë rrethrrotullimit të Thumanës për t’u treguar qytetarëve se qeveria po planifikon një vjedhje të tmerrshme me një koncesion të ri.
Qeveria ka lajmëruar se do të ndërtojë me koncesion rrugën Milot-Fier, pjesë e të cilës është dhe ky segment. Në pamje të parë, duket se kostoja shkon 10 milionë euro për kilometër, por, si ky, janë 62 kilometra nga 115 që parashikohet të jetë e gjithë rruga. Kjo bën që kostoja reale e 1 kilometri të jetë deri në 20 milionë euro.

 

Kjo është një vjedhje skandaloze dhe e papranueshme. Këtu rruga ekziston në formën e saj më të mirë, që prej vitit 2013, megjithëse qeveria nuk e mirëmbajti asnjëherë, siç nuk ka mirëmbajtur rrugë të tjera që i gjeti gati në çdo cep të vendit.

 

Partia Demokratike nuk është kundër zhvillimit të infrastrukturës, pasi ne kemi investuar më shumë se çdo qeveri tjetër që shqiptarët të lidhen me rrugë moderne dhe të shpejta nga veriu në jug, nga lindja në perëndim.

 

7 vjet më parë ne siguruam fonde nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për një rrugë të ngjashme, ndërtimin e bypass-it të Fierit me një kosto prej 1.8 milionë euro për kilometër. Ndërsa qeveria në ikje kërkon ta tenderojë rruigën me 20 milionë euro kilometri.

Kjo është vjedhja më e madhe e qeverisë në ikje. Edi Rama dhe Belinda Balluku i kanë shumëfishuar kostot për të rritur çmimin e kalimit të udhëtarëve. Çdo automjet që kalon në këtë rrugë, do të paguajë të paktën 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje, duke e bërë këtë një rrugë të florinjtë.

Në vend të heshtjes, Edi Rama dhe Belinda balluku duhet të flasin dhe t’u shpjegojnë shqiptarëve çfarë i detyron të ndërtojnë 1 kilometër rrugë 20 milionë euro? Pse nuk kanë shpallur akoma tenderin, siç premtuan 1 javë më parë? Nuk kanë letrat gati? U kanë shkuar keq llogaritë?

Në fakt, do t’u shkojnë edhe më keq, nëse i shkojnë deri në fund këtij projekti korruptiv. Kush ka ndërmend të bëhet bashkëpunëtor me Edi Ramën në këtë vendim antikombëtar, që vjedh qytetarët në mënyrë skandaloze, ka akoma kohë të tërhiqet.

Partia Demokratike e ka bërë të qartë: Ne nuk do të njohim asnjë vendim të marrë nga kjo qeveri 12 muaj para zgjedhjeve, pa iu nënshtruar më parë ligjshmërisë së vendimit. Në rastin e Milot-Fier gjithçka vjen era korrupsion!

Login to post comments