Caktohet plani i vjedhjes:Rilindja kërkon 800 mijë vota

E Enjte, 09 July 2020 12:31

Kryeministri Edi Rama ka nisur prej disa ditësh fushatën elektorale për zgjedhjet e ardhme parlamentare. Takimet e para të kreut të qeverisë janë me krerët e PS në rrethe, kryebashkiakët dhe një pjesë të deputetëve që ka ndërmend t’i rikandidojë. Edhe pse fushata duket ende larg, kreu i qeverisë e ka gati skemën që synon t’i japë atij mandatin e tretë qeverisës, sipas tij. Varianti i parë është ai i sabotimit të reformës zgjedhore dhe miratimi në Kodin Elektoral të ndalimit të koalicionëve. Hyrja në garë pa koalicione, sipas PS-së, i jep asaj epërsi numerike dhe mund të nxjerrë PS-në forcë të parë. Llogaritë janë bërë sipas skemës së vitit 2017 ku marrëveshja PS-PD hoqi koalicionet në minutat e fundit, orientoi sulmin ndaj LSI dhe i la rilindjes fushë të lirë në zgjedhje. Me të njëjtin model Edi Rama synon të shkatërroj sërish zgjedhjet dhe fushatën elektorale. I vetmi ndryshim është se PD dhe LSI nuk kanë problemet që kishin në 2017 dhe së bashku me partitë e tjera aleate krijojnë koalicioni më të madh kundër qeverisë “Rama”. Një tjetër llogari që rilindja bën gabim është ajo e llogaritjes së votave në favor të saj, njëlloj si në vitin 2017. Në vitin 2017, PS mori 764 mijë vota, PD 465 mijë dhe LSI 225. Në këto shifra të KQZ nuk është llogaritur sesa ka ndikuar blerja e votës, vjedhja nga komisionerët dhe manipulimet që u bënë në masë nga drejtuesit e PS-së. Dosjet e përgjimeve kriminale në Durrës dhe Dibër japin vetëm një ide të masakrës që është bërë me votat dhe se numri 764 mijë është shumë larg shifrës reale të votave që ka PS. Duke llogaritur dhe efektin e konsumimit të një mazhorance për 8 vite, mungesën e realizimit të gjithë premtimeve dhe një ekonomi që është drejt falimentimit, llogaritë e PS-së nuk dalin dhe humbja duket e paralajmëruar.

Në takimin e zhvilluar dje me kryebashkiakët, Edi Rama ka vendosur dhe objektivin e PS për zgjedhjet e ardhshme. Kryeministri ka porositur besnikët e tij se i duhen 800 mijë vota për të fituar mandatin e tretë dhe ata duhet t’ja sigurojnë ato me çdo kusht. Në krahasim me zgjedhjet e 2017 duket sikur PS do të luftojë vetëm për 35 mijë vota që të plotësojë objektivin e Edi Ramës. Por në 4 vite kanë ndryshuar shumë gjëra dhe 800 mijë vota PS nuk i mori dot as me zgjedhjet moniste të 30 qershorit 2019, të cilat i zhvilloi vet, i numëroi vet dhe rezultatin e sajoi ashtu siç i duhej rilindjes. Me keqqeverisjen që ka kapluar vendin, me shkatërrimin e strukturave të PS në çdo bashki dhe pakënaqësitë e shprehura publike nga vet socialistët, 800 mijë vota duken një ëndërr vere e kreut të qeverisë.

 

Kryeministri dhe socialistët e dinë se në kushtet aktuale 800 mijë vota nuk i bëjnë dot, por sinjali i është i qartë. 800 mijë është numri i votave që duhet të vjedhin me çdo kusht. Dhe ky është varianti i dytë ku e bazon fitoren PS-ja, te manipulimi dhe grabitja e votave. Ndaj programi, premtimet, strategjitë elektorale nuk kanë asnjë vlerë. Pas tetë viteve në pushtet e vetmja mënyrë që mund të çojë PS në kuotën e 800 mijë votave është manipulimi dhe vjedhja e tyre. Pasi të tentohet çdo mënyrë vjedhjeje në tavolinë me Kodin Zgjedhor që PS nuk po e miraton, skema e fundit është ajo e vjedhjes dhe blerjes së votave në terren. Shpërndarja e parave të oligarkët, lejimi i ri kanabizimit të vendit dhe mbyllja sytë para çdo korrupsioni shtetëror është pjesë e lojës 800 mijëshe të PS.

Ndërsa ende vijon debati për reformën që nuk dihet si do përfundojë, skema e manipulimeve për zgjedhjet e ardhshme ka kohë që ka nisur nga rilindja.

Rilindja harron se përballë do ketë një koalicion opozitar më të madhin e 30 vitëve demokraci dhe nuk do ketë asnjë shans të fitojë apo të vjedhë votat, pasi këtë herë opozitarët do luftojnë edhe me gurë e hunjë kundër mafies së votave dhe frymëzuesit të këtyre bandave.

Login to post comments