Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se rrotacioni politik është i pashmangshëm, ndërsa i bëri të qartë rivalit të tij politik, Edi Rama se ky i fundit nuk e ndal dot këtë gjë. Në një konferencë për mediat, Basha theksoi se Rama nëse nuk pranon dot këtë fakt, do të përballet me një vendim ndryshe.
“Bëj thirrje Ramës, se askush se ndal rrotacioni. Ai ka në dorë që t’i thërrasë mendjes, dhe të lejojë rrotacionin e pashmangshëm politik. Ose do të përballet me të gjitha pasojat e një vendim ndryshe. E sigurt është se Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të jenë pjesë e ankthit, frikës së Ramës.”, tha ai.
Po ashtu Basha u ndal sërish tek propozimi që ndërmjetësit e kryeministrit i kanë bërë atij, siç ishte ajo që ai përmendi më herët; “Basha kryeministër, Rama presidenti”. Lideri i PD-së tha se ky propozim kishte ardhur në periudhën mars-prill-maj.
“Sot jam këtu para jush për t’i bërë të qartë të gjithë shqiptarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar se ne jemi dhe do të jemi bashkë me ta në një përpjekje për të shmangur këtë marrëzi që synon të fundosë vendin dhe të fundosë demokracinë. Sot jam këtu për t’ju thënë se interesi i një njeri për pushet dhe frika e tij nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, s’do ta mbajë peng vendin dhe shqiptarëve ndaj BE. Bëhet fjalë për tani (propozimi i Ramës). Bëhet fjalë për periudhën mars-prill-maj. Besoj e deduktoni në mënyrë të qartë dhe nga mënyra ime, pasi po të kishte pasur përgjigje tjetër s’do të ishim sot këtu. Ai tenton të ndalë integrimin e vendit drejt BE-së. Asnjë nga personat që zunë vendin në Parlament, nuk përfaqëson asnjë prej përfaqësuesve të opozitës. Unë e mbështes veprimin e tyre”, pohoi Basha.