Skandali me tenderin në Unazën e Re çon në burg administratorin e kompanisë DH Albania, Avdjol Dobi, kompani e cila përmes dokumentave të falsifikuara fitoi tenderin për ndërtimin e një prej loteve të projektit.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Tiranës më 27 maj, ndërsa trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Albert Meça vendosi të shpallë fajtor 28-vjecarin Dobi për akuzën e falsifikimit të dokumenteve parashikuar në nenet e kodit penal.
Ndaj administratorit të kompanisë Dh Albania, Gjykata vendosi dënimin e tij me 9 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ku ulet 1/3 e dënimit, Avdjol Dobi do të kryejë vetëm 6 muaj burg.
Nga hetimet rezultoi se 28-vjecari Dobi falsifikoi datën e regjistrimit të kompanisë DH Albania ne Delawere të Shteteve të Bashkuara si dhe bilancet e tri viteve me parë.
Kompania me përfaqësues 26-vjeçarin Dobi u regjistrua në Shqipëri në korrik 2018, si degë e kompanisë amerikane Dunwell Haberman, e themeluar më 25 qershor 2018 në Delawere të Shteteve të Bashkuara- e njohur si parajsë fiskale.
Në dokumentet e dorëzuara në QKB, Dunwell Haberman pretendonte se ishte themeluar në vitin 1998 dhe se kishte një aktivitet të dendur ekonomik prej qindra milionë dollarësh. Vetëm katër muaj pas regjistrimit, DH Albania u shpall fituese e dy tenderave të njëpasnjëshëm në Shqipëri.
Ndërkohë gjykata ka pushuar me kërkesë të prokurorisë hetimet e celura për shpërdorim detyre, ndaj zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të ARRSH dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, derisa nuk iu gjetën elementë të veprës penale.