SHBA përshëndet miratimin e ‘5 qershorit’, ka dhe një thirrje për ...

E Enjte, 23 July 2020 15:42

 

Ambasada e SHBA ka përshëndetur miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit në Kuvend.

Me një mesazh në Facebook, Ambasada shprehet se mirëpret rithirrjen e Këshillit Politik për të tjera reforma dhe kërkon diskutime e bashkëpunim mes palëve.
Reagimi i plotë i Ambasadës së SHBA:

Shtetet e Bashkuara mirëpresin miratimin nga Parlamenti të legjislacionit për reformën zgjedhore që kodifikon marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.

Ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian.

Përgëzojmë të gjitha partitë që u siguruan që marrëveshja e 5 qershorit u arrit, u respektua, dhe u zbatua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Kjo mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare.

Në këtë drejtim, mirëpresim vendimin për rithirrjen e Këshillit Politik për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore.

Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim; të shpjegojnë pozicionet e tyre qartë dhe plotësisht njëri-tjetrit dhe popullit shqiptar; dhe të kërkojnë një zgjidhje që është në të mirën e të gjithë popullit shqiptar dhe vazhdon ta çojë vendin përpara në rrugën e tij demokratike.

Login to post comments