Si zgjidhet kriza aktuale

E Enjte, 23 July 2020 16:34

 

Aktualisht, për vendin tonë prioriteti i prioriteteve është çelja e negociatave të BE-së, proces që është i kushtëzuar me 15 kushte. Kushti kryesor që aktualisht është mbi tavolinat e partive politike është miratimi unik dhe i pacenuar i marrëveshjes së 5 qershorit. Kjo lehtëson çeljen e negociatave, por nuk garanton ecurinë normale të tyre pa plotësuar të gjitha kushtet. Kriza aktuale mund të lehtësohet nga fillimi i diskutimeve për ndryshime kushtetuese lidhur me sistemin zgjedhor, të cilat mund të bëhen efektive për zgjedhjet e ardhshme parlamentare 2025.

Dalja nga kriza mund të bëhet me dy faza. Faza e parë – Miratimi, mundësisht “dje”, i ndryshimeve sipas marrëveshjes së 5 qershorit 2020. Ato duhet të miratohen pa ndryshime jashtë konsensusit politik të partive politike opozitare. Të miratohen pa u kushtëzuar me ndryshime shtesë, të cilat nuk arrijnë të marrin konsensusin e opozitës jashtëparlamentare. Faza e dytë – kërkon kohë për një reformim : (i) më të thellë; (ii) më të plotë dhe (iii) më të mirëstudiuar të ndryshimeve potenciale kushtetuese, lidhur me sistemin zgjedhor dhe administrimin zgjedhor.

 

Hapja e debatit publik për ndryshimet e ardhshme kushtetuese dhe ligjet respektive mund të përfshijë:

 

1. Rishikimin e hartës administrative – rritjen e numrit të bashkive nga 61 në 100. Përfundimisht është vërtetuar se reforma administrative nuk solli asnjë nga përmirësimet e pretenduara për menaxhim më të mirë dhe me kosto më të ulët të qeverisjes vendore. Duke qenë se dështoi në aspektin administrativ, duket se harta me 61 bashki ka pasur synim përfitimet elektorale për maxhorancën që e inicioi dhe miratoi pa pjesëmarrjen e opozitës.

 

2. Reduktimin e numrit të deputetëve me rreth 30%, nga 140 në 100. Kjo ka një logjikë mbështetëse të thjeshtë. Nëse numri i njësive të qeverisjes vendore u reduktua gati me 6 herë nga 365 në 61, numri i deputetëve mbeti i pandryshuar. Deputetët miratojnë çdo ndryshim në kurriz të përfaqësuesve të tyre, por nuk pranojnë të reduktojnë numrin total të tyre me votat e tyre. Ky është një aspekt jo vetëm ligjor, por edhe moral. Ka shumë arsye pse numri total i deputetëve duhet të reduktohet, jo si qëllim në vetvete, por edhe si reflektim i përmirësimit dhe jo vetëm të infrastrukturës fizike dhe lehtësisë për të kontaktuar dhe bashkëvepruar me votuesit e tyre.

 

3. Kalimin në sistemin parlamentar me dy dhoma. Kjo kërkon diskutim shumë të kujdesshëm. Kam parasysh se në vende të ndryshme, organizimi me dy dhoma vjen nga organizim federativ i këtyre shteteve. Sistemi me dy dhoma nënkupton që dhoma e parë/kongresi është përfaqësimin proporcional sipas numrit të votuesve të çdo shteti, ndërsa dhoma e dytë/ senati është përfaqësim i barabartë i shteteve të vogla me shtetet e mëdha, pasi norma e përfaqësimit në senat është e barabartë. Në një kuptim të thjeshtëzuar, senati mbron shtetet e vogla, “arrogancë” e shteteve të mëdha dhe ndihmon funksionimin harmonik të federatës. Pra, edhe një shtet shumë i vogël ka dy senatorë, po aq sa ka edhe një shtet shumë i madh në SHBA. Ndërtimi i Kuvendit të Shqipërisë me dy dhoma kur mungon ky element thelbësore, mund të krijojë premisa për kriza të reja edhe midis dy dhomave.

4. Kalimin në sistemin zgjedhor nga ai aktual në maxhoritar me dy raunde. Dy raundet i japin kredibilitet më të plotë publik të zgjedhurit si deputet, kryetar bashkie dhe anëtar të këshillave bashkiakë. Zgjedhjet me dy raunde i kanë mbrojtur demokracitë nga rritjet spontane të forcave radikale, të cilat shpërthejnë në raundin e parë dhe tkurren apo vyshken në raundin e dytë. Shikoni fitoret e raundit të parë dhe të raundit të dytë të partisë së Le Pen në Francë. Risku i rritjes së peshës politike të partive radikale është në rritje.

 

5. Diskutimin e opsioneve për nivele të shëndetshme të pragut elektoral. Pragu elektoral është një element i rëndësishëm i promovimit të demokracisë dhe i konsolidimit të saj. Ai është i ndryshëm në vende të ndryshme dhe mban parasysh specifikat e kulturës shoqërore e politike, përbërjen sipas etnive dhe minoriteteve që duhen respektuar etje. Nuk ka një prag elektoral që i rri mirë kostumit demokratik të të gjitha shteteve, por ka disa nivele orientuese. Pragu mund të ngrihet gradualisht deri në një nivel të arsyeshëm, pa pasur si qëllim të vetëm reduktimin e numrit të partive politike. Tranzicioni shqiptar vërteton se problemet e cenimit të demokracisë dhe keqqeverisjes nuk kanë ardhur kryesisht nga partitë e vogla.

6. Kalimi me dy raunde i zgjedhjeve për kryetar bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiak/parlamenteve vendore. Eksperienca e fundit e zgjedhjeve vendore ku kemi kryetar bashkie me 6 apo 16% të votave e bënë jetike këtë ndryshim të rëndësishëm.

7. Kalimi me zgjedhje të drejtpërdrejtë i anëtarëve të këshillave bashkiakë. Demokracia vendore është thelbi i qeverisjes demokratike. Niveli i parë i përfaqësimit dhe qeverisjes është ai vendor, aty ku qytetarët përballen me problemet e përditshme. Anëtarët e parlamenteve vendore duhet të bëjnë fushatë individuale aktive dhe të jenë përzgjedhja e drejtpërdrejtë e atyre që përfaqësojnë. Veliaj i zgjodhi vetë, jashtë përzgjedhjes, brenda PS-së të 100 kandidatët për Këshillin Bashkiak. Nëse ata do të zgjidhen nga votuesit, personaliteti dhe përgjegjësia e tyre do të ndihmonte edhe qeverisjen e Tiranës, jashtë pushteteve absolute që korruptojnë në mënyre absolute.

8. Kufizimi me ligj që çdo ndryshim në sistemin zgjedhor të bëhet të paktën 2 vite përpara zgjedhjeve të ardhshme dhe çdo ndryshim në administrimin zgjedhor të bëhet 1 vit përpara zgjedhjeve. Asnjë ndryshim kushtetues dhe sidomos në elementët kritikë të sistemit dhe administrimit zgjedhor nuk duhet të ndodhë nën presionet apo synimet përfituese të zgjedhjeve në “prag të derës”. Ndryshimet pozitive kërkojnë kohë që partitë politike të ristrukturohen dhe të maksimizojnë përfaqësimin e tyre politik.

9. Administrimi zgjedhor të kryhet nga individë të përzgjedhur jo nga partitë politike, por të trajnuar dhe certifikuar për njohuritë e tyre edhe juridike për menaxhimin e proceseve elektorale përpara, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Një ndryshim i madh do të jetë përmirësimi rrënjësor i administrimit, ku kredibiliteti i procedurave dhe i komisionerëve duhet të nxjerrë rezultatet në kohë reale dhe që rezultati të jetë i pranueshëm nga garancia ligjore e procesit dhe komisionerëve.

Login to post comments