Nga Ilir Nikolla
Disa herë gjatë këtyre 7 viteve (keq)qeverisje, Edi Rama ka kalëruar tezën e sovranizmit, si një metodë për t’u imponuar si “i fortë” brenda vendit, dhe si i vetmi intelokutor me “të jashtmit” dhe të njëjën lojë po kërkon ta imponojë edhe tani me ndryshimin e paprecentë të kushtetutës, për të siguruar një fitore zgjedhore në tavolinë.
Fakti është se përvojat e deritanishme, përveçse kanë nxjerrë gafil dobësitë momentale të pozicionit politik të kryeministrit, nuk ja kanë dalë që sovranizmin ta shndërrojnë në një pozicion standard të diplomacisë publike të shefit të qeverisë. Në kohën e armëve kimike, tërheqja u justifikua me një defekt në komunikim, me fjalë të tjera me një ngatërresë, ndërsa në rastet e tjera, si me gili-vilit me nismat e bashkëpunimit me Kinën, me tentativat për një vizitë zyrtare në Moskë, apo edhe me marrëveshjet private për ndarje kufijsh me Greqinë, sovranizmi i Edi Ramës është shumëzuar me zero, duke u cilësuar si i panevojshëm.
Dy rastet që meritojnë një analizë të posaçme, për të kuptuar se pse Edi Rama strehohet tek sovranizmi, jane pozicionet e forta ndaj Bashkimit Evropian, duke e “shantazhuar” këtë të fundit se Shqipëria kishte edhe hapësira të tjera ku të integrohej (!!!), si dhe mbrojtja me shpatë e mundësisë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Në të dyja rastet, Edi Rama ka luajtur në advancë, për t’i dalë përpara asaj që dihej, mos’hapjes së negociatave dhe identifikimit të qeverisjes së tij si vatra e vërtetë e infeksionit. Më mirë, bllokojmë denoncimet publike të Brukselit për keqqeverisjen e po ashtu bëjmë pazare me tokat shqiptare, në këmbim të Vuçiçit si aleat shtesë. Në këtë skemë, pra në atë të aleatit shtesë, mund të lexohet edhe pozicioni i kundërt, ai i rrogozit, që kryeministri shqiptar ka mbajtur ndaj kryeministrit turk, duke shkelur çfarëdolloj standardi të shtetit ligjor, vetëm e vetëm për të dorëzuar gylenistët që kishin kërkuar azil politik tek ne.
Sovranizmi i Edi Ramës nuk ëshë një konstante, aq më pak nuk është një ideologji e tij. Sovranizmi është një mjet, që edhe pse është përdorur shpesh, praktikisht s’ka dhënë rezultate, veç ndonjë fitore të vogël propagandistike në mediat e Tiranës. Edi Rama është zbuluar tashmë (ka nisur edhe të demaskohet) nga kancelaritë e Perëndimit, nuk është konsideruar nga Moska dhe Pekini, si dhe është keqpërdorur nga Beogradi dhe Ankaraja.
Me këtë libër të zi përvoje, ai i është futur edhe njëherë detit në këmbë dhe po kërkon prishjen e zgjedhjeve, përmes ndryshimit të njëanshëm të kushtetutës dhe pa referendum, një gjë e pandodhur në 30 vite tranzicion. Mungesa e precedentit flet për vështirësinë e madhe përballë të cilës ndodhet kreu i mazhorancës. Edhe njëherë, rregullat e lojës nuk mjaftojnë që ta lejojnë Ramën të përballet me tmerrin e vet, të përballet me votën e të qendrojë mbi ujë, prandaj, me maskën e sovranistit në fytyrë, ai po refuzon çfarëdo apeli ndërkombëtar për t’u ndalur. Kryeministri ynë mund të jetë në të drejtën e vet të provojë edhe njëherë një lojë të cilën 5-6 herët e shkuara e ka humbur, por përveç kostos, që ai s’po ja kursen vendit, kur lojën e luajnë të njëjtët lojtarë, përfundimi dihet. Veç këtë herë, spektakli ka rrezik të jetë më piroteknik, për shkak se Edi Rama po bën një gjë që s’guxuan ta bëjnë as falangat që erdhën në pushtet me armë pas rebelimit të ’97-s.