Rama refuzon ndërkombëtarët:Nuk na pengoni dot në as në 'gjuhë të huaj'

Hënë, 27 July 2020 12:46

 

Duket se as deklarata që erdhi ditën e sotme nga Gjermania dhe as thirrja e ambasadores Yuri Kim që ndryshimet Kushtetuese të bëhen nëpërmjet një konsensusi të plotë politik, nuk e kanë bindur Edi Ramën që të heqë dorë nga plani i tij i 30 Korrikut.

Gjatë fjalimit të sotëm në parlament, kryeministri Edi Rama është shprehur i prerë se ndryshimet Kushtetuese do të miratohen në seancën e Kuvendit të 30 korrikut, kurse për çështjet e tjera të bisedohet pas kësaj date.

Sipas tij marrëveshja e 5 qershorit, nuk do të preket dhe këmbënguli që pas ndryshimit të Kushtetutës mund të diskutohen çështjet zgjedhore siç janë listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore. Për këto të fundit ku edhe ka ngecur gjithçka ai la për të kuptuar se nuk heq dorë nga ideja për ti future “nën një çadër”, gjë që në fakt është prishje de fakto e koalicioneve parazgjedhore. Ai madje në fund të fjalimit të tij deklaroi se jo vetëm “opozita e rrugës”, por askush edhe në “gjuhë të huaj” nuk mund të pengojë në projektin që ka nisur.

“Doni apo nuk doni, në 30 korrik do të votojmë ndryshimet Kushtetuese. Ata që shantazhojnë, asgjë s’kanë për të fituar. Ne do t’i qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit. Marrëveshja e 5 qershorit nuk është bllokimi i neneve që duhet të reflektojnë ndryshimet Kushtetuese. Ajo marrëveshje flet për administratën zgjedhore, financimin e partive. Ato nuk preken. Pas votimit të gjithë janë në të drejtën e tyre për të diskutuar. PD të mos lodhet duke kundërshtuar 30 korrikun. Është një marrëveshje e nënshkruar dhe të gjithë ata që e kanë marrë përsipër ta votojë, le ta votojnë. Është e mbyllur, është vullneti i këtij parlametni që mund të jetë ilegjitim sipas Ilir Metës, sipas rastit. Se kur votohet 5 qershorit nuk janë 82, por më shumë dhe kur votohet 30 korriku, janë 82…Kështu që, ne udhëheqim dhe natyrisht kjo na sjell në situata konflikti që nuk janë zgjedhja jonë. Ne jemi për dialog dhe komunikim me të gjithë. S’kam refuzuar të ulem me Lulzim Bashën, ka refuzuar Lulzim Basha të ulet me mua. S’ka refuzuar PS të ulet me PD-në, por ka refuzuar PD-ja të ulet me PS-në. Për koalicionet ka kohë për të diskutuar”, deklaroi Rama nga foltorja e Kuvendit.

Login to post comments