Tedi Blushi:Gjynah që Lali Fiku nuk vlen më as si gjethe Fiku për “tërmetet” e Bablokut

Tuesday, 18 August 2020 13:52

 

Tedi Blushi, Zëdhënesi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas deklaratave të kryebashkiakut Erion Veliaj kundër kreut të shtetit.
“Gjynah që Lali Fiku nuk vlen më as si gjethe Fiku për “tërmetet” e Bablokut!”,– shprehet Tedi Blushi në Facebook, teksa poston dhe një foto nga takimet e mëparshme të Presidentit me kryebashkiakun e Tiranës.
Më herët, Veliaj sulmoi kreun e shtetit pas kritikave të presidentit për censurën e mediave nga kryebashkiaku dhe Rilindja. Veliaj kritikoi kreun e shtetit për një çështje që është vlerësuar si montazh nga gjykata dhe sajesë. “Lajm i mirë që Ilir Meta ka marrë iniciativën për një media të re transparente dhe kritike me pushtetin. Ai ka jo vetëm lekët por dhe historinë e tij të 7 për qindshit, që mund ta mbajë gjallë këtë medie si me para ashtu dhe me përmbajtje gjithë jetën! Suksese!”,- shkruan Veliaj në një postim në Twitter duke ju referuar një çështje që është mbyllur prej kohësh me vendim gjykate.
Ditën e sotme Presidentit Ilir Meta reagoi pas publikimit të disa mesazheve kërcënuese të kryebashkiakut Veliaj ndaj gazetares dhe drejtores së informacionit të Ora News, Beti Njuma.
Mesazhi i Presidentit Ilir Meta në rrjetet sociale:
Presidenti Ilir Meta: Dua sot të shpreh solidaritetin më të fortë me të gjithë gazetarët që janë në një presion brutal nga të gjitha drejtimet për shkak të tmerrit nga raportimi i të vërtetave të tyre në publik. Tmerri nga fjala e lirë dhe pasqyrimi i së vërtetës është tipari kryesor i regjimeve kriminale që nuk e bazojnë qeverisjen mbi votën e lirë dhe fjalën e lirë, por në mbajtjen të shtypur dhe të frikësuar të popullit të tyre.
Asgjë nuk e ndal Ndryshimin! Madje koha e Ndryshimit ka kaluar prej 4 vitesh. Tani ka ardhur Kohë tjetër! Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë që kur të gjithë pronarët e tyre të dorëzohen para presioneve të pushtetit, të themelojmë së bashku një media transparente që ta nisë Kohën e Re me Përmbysjen e këtij regjimi të neveritshëm mediatik që turpëron çdo njeri me minimum dinjiteti. Mos u dorëzoni para presioneve të pushtetit dhe pronarëve! Kujtoni poezinë e Havzi Nelës dhe do i qëndroni misionit tuaj fisnik në shërbim të të vërtetave dhe popullit shqiptar që meriton të rimarrë në dorë fatet e Tij. Si President, por edhe si qytetar, jam sot me gazetaren Beti Njuma dhe familjen e saj të lënduar nga rrugaçëria e një pushteti të pacipë dhe brutal, por edhe me të gjithë kolegët e saj të cilët shantazhohen çdo moment. Çdo shqiptar që do një media në shërbim të së vërtetës do jetë aksioner! Dhe Bordi Drejtues do jetë i përberë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi.

Login to post comments