Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian për çeljen e negociatave, kryeministri Edi Rama, tha se, e gjitha ishte meritë dhe jo dhuratë e europianëve.
Gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare kreu i qeverisë tha se, rol të rëndësishëm luajti reforma në Drejtësi dhe ligji i Vetting-ut.
Rama u shpreh se, sistemi i drejtësisë nuk do të mjaftohet vetëm me gjykatësit e prokurorët, por edhe me politikanët e zyrtarët e lartë.
“Faza e re kërkon jo vetëm sistemi të pastrohet nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar por të veprojë si një sistem i pastër ndaj kujtdo që ka hesape për të larë me drejtësinë. Nuk do të mjaftojë që gjykatësit e prokurorët të largohen por të përgjigjen. Ashtu sic duhet të përgjigjen politikanët dhe zyrtarët e lartë përballë një drejtësie nga gjykatësit e çliruar nga korrupsioni.
Është një fazë e re e vështirë që do të kërkojë zbatimin në realitet të forcës së sistemit të drejtësisë në raport me shkelësit e ligjit”,- u shpreh ai.
“Shqipëria sot ka fituar një staturë të re, dhe rekomandimi është një dëftesë kuptimplotë që mishëron kryerjen e detyrave të shtëpisë nga vendi ynë në funksion të çeljes së negociatave për anëtarësim.
Do të thotë se, duhet shumëfishuar puna. Dua të theksoj që KE është një mekanizëm i pamëshirshëm në leximin e çdo aspekti që lidhet me detyra e dhëna.
Rekomandimi për hapjen e negociatave është bazuar në një element, në meritë. KE nuk bën dhurata dhe as nuk ka bërë ndonjëherë gjeste bujarie për askënd. Në këtë proces për Shqipërinë, kanë pasur rolin e tyre të gjitha aspektet por themelore ka qenë beteja jonë për Vettingun, betejë të cilën e zhvilluam me forcë e vendosmëri në kushtet kur ishim vetëm.
Vendi fiton një fuqi të re tërheqëse në aspektin ekonomik, fuqi bindëse për investime të huaja, për të rritur praninë e kompanive të mëdha që krijojnë punë, dhe që hapin rrugën për të krijuar një punë të re në shpërblimin e punës.
Nëse shohim se çfarë shkruhet në këtë raport kemi pasqyrën e një progresi shumë të rëndësishëm që përbën bazën e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik e social të vendit”,- tha Rama.