I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pohoi se në dialogun e zhvilluar mes përfaqësuesve të këtyre dy shteteve në Bruksel, është arritur përparim i plotë në diskutimet rreth bashkëpunimit ekonomik dhe çështjes së personave të pagjetur dhe të zhvendosur.
“Është e rëndësishme që të dy liderët këtë mëngjes, teksa kanë ardhur nga takimet e Shtëpisë së Bardhë, kanë konfirmuar se janë të lidhur me prioritetet e integrimit në Bashkimit Evropian dhe në vazhdimin e punës për dialogun Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Lajçak pas takimit. Sipas tij, në takimin e së hënës për herë të parë është diskutuar edhe për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, çështjet e komuniteteve joshumicë, dhe pretendimeve të përbashkëta financiare e pronësore.
“Ky ka qenë këmbimi i parë që na ka lejuar neve të definojmë hapat e ardhshëm të diskutimeve tona. Takimi ynë i radhës do t’iu dedikohet këtyre temave”, ka deklaruar ai. Edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kanë konfirmuar të hënën në Bruksel se kanë përafruar qëndrimet e tyre për çështjen e të zhvendosurve dhe të zhdukurve si dhe bashkëpunimin ekonomik.