Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, i ftuar në një studio televizive, tha se sondazhet e kryera nga vetë PS-ja nuk e çojnë këtë parti më shumë se 24% të votave.
”Opozita ka qenë gjithë kohës në aktivitet dhe besoj se në këtë pozicion ku kemi arritur sot, ku këtë qeveri nuk e duan 80% e shqiptarëve dhe këtë e thonë të gjithë sondazhet. Fakti që 80% e shqiptarëve nuk e duan këtë qeveri, mendoj se është edhe kontribut i opozitës, i cili ka qenë i duhuri me akte, veprime dhe aksione. Sondazhi që ka bërë Rama me grupet e tij të sondazhit e nxjerr “Rilindjen” 24%, e cila është pika më e ulët e PS-së në 30 vjet. Ky është rezultati që ka marrë Rama pak ditë më parë. Jashtë kësaj, ne jetojmë këtu dhe e shohim se çfarë po ndodh”, tha Paloka në ”A2cnn”.
Nënkryetari i PD-së, ndër të tjera shtoi u shpreh se Rama u largua nga Vlora pasi nuk ka më fytyrë t’iu dalë përpara qytetarëve.
”Rama iku nga Vlora pasi nuk ka më fytyrë t’iu dalë përpara. Të gjithë deputetët e tjerë, disa me arsye e të tjerë pa arsye, nuk guxojnë të shkojnë më në zonat e tyre. Ata kryetarë bashkie, të cilëve Rama u kërkoi 800 mijë vota, kanë marrë më 30 qershor, me gjithë manipulimet, nga 6 deri në 10% të votave. Ku do t’i marrin 800 mijë vota”, tha Paloka.