Presidenti Meta në Zall Dardhë të Dibrës: Përulem me respekt para kujtimit të burrave të shquar të kësaj treve

Saturday, 19 September 2020 09:30

 

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ndodhet për një vizitë në Dibër. Mëngjesin e sotëm, Presidenti Meta ka vizituar Zall Dardhën, një fshat me histori të luftrave për liri, dhe është përulur me respekt para kujtimit të burrave të shquar të asaj treve.

“Ashtu si e gjithë Dibra, edhe kjo trevë ka qenë përherë djepi i luftërave patriotike për liri, por edhe dhe identitet kulturor. Jo pa kuptim ata Kuvendin e tyre të burrave e quajtën “Dheu”, për të treguar, se si Anteu ata e marrin bekimin dhe fuqinë e tyre prej tokës që i lindi dhe rriti”, shkruan Presidenti Meta në Facebook.

Në vijim postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta

I lumtur të vizitoj Zall Dardhën, fshatin me histori të madhe të luftërave për liri, për t’u përulur me respekt para kujtimit të burrave të shquar të kësaj treve, për të cilët mjeshtri Qerim Sula do të këndonte:
“Me gjoks flakën ja shuajmë topit,
Jemi gjaku Kastriotit!”
Të rritur me Korabin përballë, bijtë e shquar të Zall Dardhës kanë marrë prej malit madhështor cilësitë e qëndresës dhe kryelartësinë në karakterin dhe shpirtin e tyre.
Ashtu si e gjithë Dibra, edhe kjo trevë ka qenë përherë djepi i luftërave patriotike për liri, por edhe dhe identitet kulturor. Jo pa kuptim ata Kuvendin e tyre të burrave e quajtën “Dheu”, për të treguar, se si Anteu ata e marrin bekimin dhe fuqinë e tyre prej tokës që i lindi dhe rriti.
Tradita e Kuvendeve në Reç e Dardhë, është ndër shembujt më të shquar të përgjegjësisë atdhetare, të organizimit dhe qeverisjes vendore.
“Besa – besë, nihet zani,
Zot t`i dalim këtij vatani…”

Login to post comments