“Mbi 50 mësues me COVID-19”, PD denoncon kushtet në shkolla: Asnjë masë shtesë

Saturday, 19 September 2020 13:27

 

Partia Demokratike ka sulmuar ashpër qeverinë për javën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor. Në një deklaratë për mediat, ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi theksoi se në 80% të shkollave mungojnë kushtet e higjienës.

Sipas Vokshit mbi 50 mësues janë me COVID-19, ndërsa shtoi se nuk është marrë asnjë masë shtesë nga qeveria. Në emër të PD-së, Vokshi tha se asnjë nga 103 shkollat e shembura dhe dhjetëra të dëmtuara rëndë nuk ishin gati për rreth 23 mijë nxënës dhe mësues.
DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE
Java e parë e vitit të ri shkollor dëshmoi që qeveria ishte e papërgatitur për pritjen e nxënësve dhe të mësuesve në kushte pandemie. Edi Rama mashtroi me premtimin për rindërtimin dhe hapjen e shkollave të dëmtuara nga tërmeti në këtë shtator. Asnjë nga 103 shkollat e shembura dhe dhjetëra të dëmtuara rëndë nuk ishin gati për rreth 23 mijë nxënës dhe mësues. Në javën e parë të vitit të ri shkollor doli në pah shqetësimi kryesor i yni dhe i prindërve se në rreth 80% e shkollave nuk ka kushte higjenike dhe infrastruktura e dobët shkollore nuk krijon kushtet për zbatimin e protokolleve të sigurisë.

Kjo ka ndodhur sepse në 8 vjet, investimet e kësaj qeverie në arsim kanë shkuar vetëm për fasadën, asgjë për kushtet reale që ndihmojnë nxënësit dhe mësuesit. 25 milonë euro ka mbledhur Erion Veliaj taksë për infrastrukturën shkollore në Tiranë, por këto para nuk kanë shkuar për përmirësimin e kushteve të shkollave në Tiranë. Me 25 milionë euro duhet të ishin ndërtuar të paktën 10 shkolla supermoderne ose të ishin transformuar dukshëm të gjitha shkollat e kryeqytetit. Këta na rrisin taksat dhe pastaj taksat zhduken pa dhënë askush llogari ku shkojnë.
Qeveria nuk shtoi asnjë qindarkë për të rritur sigurinë e nxënësve dhe të mësuesve. Vetëm nga të dhënat tona, në të gjithë vendin kanë rezultuar të infektuar që javën e parë më shumë se 50 mësues, edukatorë dhe sanitarë. Në Tiranë janë dy shkolla të mëdha me mësues të infektuar. Gjimnazi “Ismail Qemali”, ku nëndrejtoresha ka rezultuar me COVID, duke infektuar edhe 2 mësuese të tjera. Gjithçka është mbajtur e fshehur deri në denoncimin e një mësueseje, ndërkohë që janë testuar një numër i kufizuar mësuesish.
Tek gjimnazi “Petro Nini Luarasi” ka më shumë se 5 mësues të infektuar, por situata kritike mbahet e fshehtë. Tek shkolla “Jerodim De Rada”, 10 mësues janë të infektuar dhe 12 të tjerë të karantinuar.

Në Delvinë janë 3 të infektuar: 1 mësuese, 1 edukatore kopshti dhe 1 sanitare. Në Sarandë janë 9 mësues, edukatorë dhe sanitarë të infektuar. Në Ersekë janë 12 mësues të infektuar. Edhe në Bulqizë janë 4 mësues me Covid, por nuk është urdhëruar pezullimi i mësimit siç parashikonte edhe vetë udhëzuesi i qeverisë. Kushtet janë skandaloze në të gjithë vendin. Në dhjetëra shkolla mungojnë termometrat, si masa më elementare anticovid. Qeveria e Shqipërisë është shumë mbrapa asaj të Kosovës, e cila ka certifikuar të gjitha shkollat e saj. Në Kosovë e dinë se cila shkollë i përmbush kushtet higjeno-sanitare dhe cila jo. Vetë Ministri i Arsimit ka dalë në inspektime që përpara vitit të ri shkollor. Ndërsa tek ne, bëhet vetëm propagandë pa marrë asnjë masë konkrete.

Për mësuesit dhe edukatorët duhet pa vonesë testim masiv. Nuk është një investim i madh në para, janë më pak se 2 milionë dollarë, të cilat sigurojnë testim kombëtar për COVID 19 dhe testim serologjik, nëse mësuesit e kanë kaluar apo jo virusin. Testimi për mësuesit dhe stafin në shkolla
Uji i rrjedhshëm ne shkolla
Termometrat dhe dezinfektantët Maskat falas në shkolla
Marrja e masave për të shmangur grumbullimet e familjarëve
Transporti brenda kushteve të sigurisë janë vetëm disa nga masat më elementare që qeveria duhet të marrë me urgjencë përpara se të jetë shumë vonë. Partia Demokratike do të vazhdojë ta monitorojë më vëmendje situatën kritike në shkolla, jo vetëm nga pikëpamja e shëndetit, por edhe e cilësisë së mësimdhënies. Mungesa e kushteve të sigurisë për shëndetin ka krijuar që tani gropa të mëdha në arsim. Orët e shkurtuara dhe mbingarkesa torturuese për mësuesit janë 2 tregues të rëndësishëm se dijet e fëmijëve në shkolla do të jenë të cunguara.

Login to post comments