Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, Presidenti Ilir Meta thotë duhet sakrificë, jo vetëm për ta fituar atë, por edhe për ta ruajtur.
Në një status në Facebook, kreu i shtetit sjell disa nga mesazhet e kardinalit Van Thuan, i cili kaloi 13 vjet në burgjet e komunizmit dhe gjithë jetën e tij ja kushtoi Paqes.
Postimi i Presidentit Meta
Paqja, siç thotë edhe Shenjtorja jonë Nënë Tereza, mund të arrihet: ‘Edhe me një buzëqeshje’.
Por historia na ka mësuar, se paqja e qëndrueshme kërkon sakrifica të panumërta, jo vetëm për ta fituar, por edhe për ta mbrojtur, dhe se ajo është e sigurtë kur liria dhe të drejtat e njeriut garantohen përmes shtetit ligjor.
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, dua të sjell në vëmendje disa nga mesazhet tepër frymëzuese të kardinalit Van Thuan, i cili kaloi 13 vjet në burgjet e komunizmit dhe gjithë jetën e Tij ja kushtoi Paqes, në funksion të së cilës i ka lënë njerëzimit dhe në veçanti politikës këto porosi, aktuale në çdo kohë:
Bekuar politikani, thellësisht i vetëdijshëm për rolin e vet!
Bekuar politikani, që frymëzon besim;
Bekuar politikani, që punon për të mirën e përbashkët e jo për interesin e vet;
Bekuar politikani, që e kryen me besnikëri të patundur, detyrën e besuar;
Bekuar politikani, që punon për unitetin;
Bekuar politikani, që angazhohet për realizimin e ndryshimeve rrënjësore dhe refuzon të quajë të mirë atë që është e keqe;
Bekuar politikani, që e dëgjon popullin para, gjatë dhe pas zgjedhjeve;
Bekuar politikani, që nuk ka frikë nga e vërteta dhe nga media.