SHBA-BE kundër Ramës:Zbato paktin e 5 qershorit!

Tuesday, 29 September 2020 08:12

 

Pak ditë para se PS-ja të çojë për votim ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit me opozitën reale, ndërkombëtarët kanë vendosur kufijtë që nuk mund të kalohen nga Edi Rama. Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim deklaroi dje nga qyteti i Himarës se klasa politike nuk duhet të devijojë nga marrëveshja e 5 qershorit. “Ata që nënshkruan 5 qershorin mos të devijojnë! Është çështje nderi. Jam e kënaqur që opozita mori përgjegjësitë. E rëndësishme që opozita të vijojë të jetë e angazhuar. Të gjitha partitë të sjellin propozime që janë reale. Çdo parti qe ka nënshkruar 5 qershorin t’i qëndrojë fjalës”,- deklaroi ambasadorja e SHBA. Pak orë më vonë, Ambasadori i BE në Tiranë, Lugi Soreca deklaroi se Bashkrimi Europian pret që 5 qershori të respektohet. “Ne gjithashtu konfirmojmë rëndësinë që çdo propozim për ndryshime të mëtejshme në nenet e kodit zgjedhor shqiptar, të cilat tejkalojnë qëllimin e marrëveshjes së 5 qershorit, të diskutohet si duhet në kuadrin e Këshillit Politik në mënyrë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse përpara se të votohet në Parlament”,- u shpreh Soreca.

Qëndrimet e ndërkombëtarëve duket hapur që janë të koordinuara dhe në pamje të parë u drejtohen gjithë partive politike. Edhe pse përmenden gjithë partitë, në fakt mesazhet janë vetëm për PS dhe kryeministrin Edi Rama. Opozita reale ka kërkuar prej kohësh vetëm zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit. Çdo propozim tjetër që u bë pas kësaj date, si ndryshimi i Kushtetutës, hapja e listave gjoja me 100 % dhe sajesat e tjera janë shpikje të Partisë Socialiste. Për opozitën reale reforma zgjedhore përfundoi me 5 qershor dhe qeveria me deputetët anonim të opozitës së re kishte detyrë vetëm të kalonte me vota në Kuvend marrëveshjen e firmosur në rezidencën e SHBA. Marrëveshja dhe rregullat e lojës u prishën nga Edi Rama me qëllimin e vetëm për të shpërberë koalicionet dhe të tallej me listat e hapura duke joshur opozitën gjasme parlamentare. Në këtë mënyrë, ndërkombëtarët nuk kanë çfarë kërkojnë dhe as nuk kanë arsye për të paralajmëruar opozitën reale. Ato që kërkuan ndërkombëtarët nga PD dhe LSI u plotësuan me kohë, madje dhe jo pa kosto për qëndrimet e frontit opozitar. Topi tashmë është në fushën e PS, jo për të ndryshuar rregullat e lojës siç po ndodhë me qëndrimet e fundit, por vetëm për ti dhënë vlerë juridike në Kuvend pakti të firmosur në rezidencën e SHBA. Ndërkohë PS dhe Edi Rama e shkelën me të dyja këmbët paktin me opozitën reale. Ndryshimi i Kushtetutës ishte një akt flagrant që minoi konsensusin. Ndërsa loja me hapjen e listave është jo vetëm qesharake, por edhe e rrezikshëm për fatin e zgjedhjeve dhe demokracinë në vend. Edhe ata në PS që kanë propozuar draftin e hapjes e listave e dinë se hapja 100 % që thotë Edi Rama është një idiotësi, sepse listat vetëm mbyllen me këtë variant. Çështja e listave nuk ishte pjesë e 5 qershorit dhe u sajua e gjitha nga Rilindja. Për të justifikuar nismën i kërkuan dhe opozitës reale propozim dhe PD dhe LSI e dorëzuan të dielën projektin e tyre që realisht i hap listat 100 %. Tashmë qeveria dhe manekinët e opozitës false në Kuvend kanë vetëm një mënyrë për të miratuar një marrëveshje normale, të pranojnë propozimin e opozitës reale ose të lenë Kodin Zgjedhor siç ka qenë më parë. Futja e duarve në ligj sipas tekave të PS dhe partive anonime në Kuvend që nuk janë krijuar ende, nuk është asgjë më shumë sesa shkatërrimi i zgjedhjeve dhe sigurisht shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit.

Ndërkombëtarët e dhanë dje sinjalin e parë të fortë kundër marrëzisë që po ndjek rilindja me reformën zgjedhore. PS e ka shtyrë miratimin e projektit të saj që ishte planifikuar në datën 1 tetor. Nuk dihet nëse është tërheqje e PS nga drafti i saj apo lëvizje taktike për të fituar kohë. Këto vite Edi Rama ka treguar se nuk ndryshon asnjëherë atë që ka nisur dhe nuk duket se është ky rasti që do bëjë hapa pas. Ndërkohë qëndrimi i ndërkombëtarëve nuk mund të mbetet më me deklarata përgjithësuese. Sepse deklarata të forta bënë dhe në muajin korrik para votimeve të ndryshimeve Kushtetuese, por kjo nuk e ndali Edi Ramën të vazhdonte me masakrimin e kushtetutës. Pasi i votoi shprehën vetëm keqardhje për votimin pa konsensus, por keqardhja nuk e ndalon Edi Ramën dhe as i shpëton standardet e zgjedhjeve të 25 prillit 2021

Login to post comments