Maqedoni e Veriut:ish-Ministren e Brendshme e fusin në burg për 4 vjet

Tuesday, 29 September 2020 08:15

 

Ish-ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, Gordana Jankullovska, të hënën në mbrëmje është dërguar në burg për vuajtjen e dënimit prej 4 vjet heqje lirie.

Ajo në vitin 2018 u dënua me burg nga Gjykata Penale e Shkupit për blerjen e diskutueshme të një makine "Mercedes" të blinduar me vlerë 600 mijë euro me urdhër të kryeministrit të atëhershëm Nikolla Gruevski, njofton REL.

Vuajtjen e dënimit ajo e kishte shtyrë deri në vendimin përfundimtar në Gjykatën e Apelit, e cila ka hedhur poshtë ankesën e saj.

Gordana Jankullovska është zyrtarja e parë e qeverisë së mëparshme që përfundon prapa grilave.

Ajo është vendosur në karantinë në repartin e pritjes për të paktën pesëmbëdhjetë ditët e ardhshme, periudhë gjatë së cilës do të bëhen vlerësimet e sigurisë, përpara se të transferohet në një qeli me të dënuarit e tjerë.

Gordana Jankullovska ka qenë një nga protagonistët kryesor në aferën e përgjimeve lidhur me abuzimet e zyrtarëve të qeverisë së Nikolla Gruevskit, i arratisur në Hungari pasi ishte dënuar me dy vjet heqje lirie për një vepër penale.

Në disa nga bisedat e publikuara në vitet 2013-2014 nga ish-lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër, Jankullovska dëgjohej duke drejtuar fyerje të rënda ndaj shqiptarëve, duke i quajtur edhe “indianë”.

Në një nga bisedat e publikuara, ajo kishte pranuar se në burg po qëndronin pa asnjë faj mbi dhjetë banorë shqiptarë të Sopotit në Kumanovë, të akuzuar për shpërthimin e një mine në këtë fshat nga e cila kishin humbur jetën dy pjesëtarë të NATO-s.

Këta banorë më vonë janë liruar nga burgu si të pafajshëm, por për shpërthimin dhe vdekjen e dy pjesëtarëve të NATO-s, ende nuk ka asnjë të dyshuar.

Login to post comments