Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, nuk ka rënë në kurthin `sovranist` të Edi Ramës i cili për arsye të brendshme ka tentuar të përdorë Kosovën, për të sulmuar Bashkimin Europian.
Menjëherë pasi ka marrë fjalën në takimin që po mbahet mes dy qeverive në Pallatin e Brigadave, Hoti, është distancuar nga sulmet e Ramës kundër BE-së.
Ai deklaroi në sy të Ramës, se pavarësisht se Kosovës nuk i janë liberalizuar vizat, “nuk duhet që ta shajmë shumë BE”.
Gjithashtu ndryshe nga, Edi Rama, ai mori përgjegjësitë e qeverisë së tij në raport me kushtet e BE-së, duke theksuar se Kosova duhet të vazhdojë që të mbajë të plotësuara të 95 kriteret që janë plotësuar në 2018.
“Mbetemi vendi i vetëm në rajon pa liberalizimi vizash, po mundohemi që gjatë kërkesës tonë që të kemi sa më shpejt liberalizimin e vizave. Të mos e shajmë shumë BE, por të tregojmë vendosmërinë tonë për të mbajtur të plotësuara të 95 kriteret që kemi plotësuar në 2018”, tha ai.
Kujtojmë se në fjalën e tij hapëse, Edi Rama, duke keqpërdorur faktin se Kosovës ende nuk i janë hequr ende vizat, lëshoi një lum fyerjesh ndaj BE-së të cilat më shumë kanë të bëjnë me faktin e mos caktimit të një date për konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë, si dhe për vijat e kuqe që i janë vënë në lidhje me ndryshimet e njëanshme për Kodin Zgjedhor dhe ligjin e ri për median