Vijon retorika e ashpër e akuzave mes Presidentit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama. Pas akuzave të këtij të fundit se Meta “ka paguar para të zeza për të përhapur në botë shpifje që sterrosin vendin”, vjen reagimi i fortë nga Presidenca.
Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, “Profeti i Kokoshkave po i përdor Fake News-et për të shmangur vëmendjen e publikut nga aferat skandaloze të biznesit të ri qindra milion euro të Arbitrazhit Ndërkombëtar”.
Reagimi i zëdhënësit të Metës:
“Fake News”-et që i publikon vetë përmes ish-avokatit në Romë, Profeti i Kokoshkave po i përdor për të shmangur vëmendjen e publikut nga aferat skandaloze të biznesit të ri qindra milion euro të Arbitrazhit Ndërkombëtar, që kërcënojnë seriozisht financat publike dhe taksapaguesit shqiptarë.
Shkelja flagrante e Kushtetutës dhe e ligjeve, për të paguar me lekët e taksapaguesve shqiptarë, biznesin e ri kriminal, përbëjnë përgjegjësi të rëndë penale për çdo zyrtar të shtetit shqiptar.
Profeti i Kokoshkave apo Gruaja e Bilalit ia ka marrë dorën pagesave në të zezë, jo vetëm për një foto elektorale, por në çdo sekondë të mbijetesës së tij në karrigen e pushtetit të blerë me banda dhe lekë të zezë prej katër vitesh.
Asnjë formulë dhe marifet nuk e shpëton nga përgjegjësitë e rënda që ka për kriminalizimin e pushtetit dhe bllokimin e integrimit europian.