Analisti Fatos Lubonja ka komentuar rekomandimin e KE për çeljen e negociatave si dhe arsyet se pse e quan raportin të rremë.
Në një lidhke direkte për rubrikën ‘Opinion’ në News24 Lubonja u shpreh se i është referuar raportit të organizatës Freedom House, e cila thotë se përparimi në luftën ndaj kanabisit u zhbë për shkak të ish ministrit Saimir Tahiri per lidhjet me trafikantët. Sipas Lubonjës janë 128 shefa policie të akuzuar për lidhje me trafikun e drogës.
“Për të provuar rremësinë e Brukselit i jam referuar raportit të Freedom House. Aty thuhet se përparimi në luftën ndaj kanabisit u zhbë për shkak të zbulimit të Tahirit dhe lidhjeve me trafikantët e drogës. Nuk është se ka pasur një përparim në luftën ndaj kanabisit. Janë 128 shefa policie të akuzuar për lidhje me drogën. Ka pasur operacione fasadë ku fshihen qëllime të tjera mbrapa. Mendoj se nuk ka pasur asnjëherë luftë ndaj korrupsionit dhe nuk ka pasur asnjë përparim. Reforma në drejtësi ka pasur një qëllim të mbrapshtë për t’i hequr kontrollin opozitës në drejtësi dhe për ta përdorur për të shantazhuar kundërshtarët. 1 milionë shqiptarë jetojnë me 5 dollarë në ditë dhe edhe më pak.”- tha Lubonja.
Lubonja shprehet se reforma në drejtësi është një dështim, pasi është kapur nga një palë politike, ndërsa e konsideroi të drejtë fjalimin e presidentit francez për çështjen e zgjerimit të BE.
“Reforma në drejtësi është një dështim, pasi është e kapur nga një palë politike. Nuk vepron ndaj korrupsionit kjo drejtësi. Presidenti francez Macron ka një tjetër qasje. Ai ka të drejtë kur thotë se ne duhet të forcohemi si Evropë brenda këtyre kufijve qe kemi, para se të zgjerohemi. Vendet evropiane duhet të forcohen para se të integrohen në BE. Ambasadoret gjithmonë palë me qeveritë kanë qenë. Ata kanë si synim mbrojtën e qeverive të tyre dhe mundësinë për hapjen e bizneseve të vendeve të tyre dhe kjo i bën më të lidhur me qeverinë”- tha Lubonja.