Pse pengohet PD dhe nga kush?

Hënë, 04 Prill 2022 09:59

 

Alfred Lela

Një grusht minor zyrtarësh të Partisë Demokratike, njerëzit e fundit afër ish-kryetarit Basha, vazhdojnë të rezistojnë, edhe përtej luftës, me anë të nje retorike të tejkaluar nga ngjarjet. Edhe pse 6 marsi hapi një hulli të re në raportet e të gjitha fashave, frakturave, fraksioneve, aktorëve dhe faktorëve të mjedisit socio-politik në e përreth PD, në partneritet permanent apo temporal me të, kalendari i tyre nuk e pranon këtë datë.

Po të vini vesh, refreni i non grata ka rënë nga repertori i shumicës prej atyre që e këndonin nga mëngjesi në darkë, si muezini i xhamisë së rrugës së Kavajës vargjet e Kuranit, por jo te të gjithë. Latiniciteti klasik, i përzier me një amerikanishte akute, lingua franca e re e botës sonë, ende pikëzon mendimin dhe ligjërimin politik të ndoca 4-5 vetëve në oborrin e Partisë Demokratike.

 

Po ta vini re, Ambasadorja Kim, që ka qenë edhe kompozitorja e këtij refreni dhe repertori, ka heshtur që nga 6 marsi. Me siguri ajo ka reflektuar, jo dhe aq në lidhje me vendimin e DASh se sa me inkursionet e saj në punët e brendshme të PD. Si diplomate, rrjedhimisht aktore politike, zonja Kim ka vërejtur se si, zhvillimet politike thonë dhe përcaktojnë më shumë se dëshirat tona.

Ajo tashmë e ka lexuar rezultatin: Sali Berishën nuk e largon as wishful thinking dhe as non grata; profili i tij politik përshkon një trajektore që takohet me një masë kritike të elektoratit. Llogaria amerikane është bërë duke patur paraysh interesat e Washington-it, nëse dëgjon variantin zyrtar, dhe lobimin e Soros-Rama, nëse i beson zotit Berisha. Ka, megjithatë, një rrafsh të tretë në këtë ekuacion, që është sentimenti publik. Te shqiptarët, Amerika ka gjetur kombin më pro-amerikan në botë. Është aventurë marroke mosmenaxhimi i këtij sentimenti, dështimi i tij. Në fjalët e një zyrtareje amerikane, në një bisedë informale, ‘if we don’t succeed in this fucking pro American country, how are we expected to succeed in Belgrade or elsewhere’.

 

Në shtegun pengues të këtij suksesi amerikan nuk është Berisha, por ata që duan të tingëllojnë më amerikanë se amerikanët, nja pak veta të mbetur në PD nga shpura e Bashës, që janë kapur pas non grata-s si pas shpresë-fantazmës së Princit Vid në Shqipërinë e fillimshekullit të shkuar (ajo ka qenë koha kur zgjidhja nuk u gjet te dy ekstremet, Wied-i i Oksidentit apo Haxhi Qamili i Orientit, por u dha më vonë në formen e Ahmet Zogut, një përzierje e të dyjave).

Duke mëtuar se po luftojnë për Amerikën, në fakt po e pengojnë atë. Amerikës nuk i intereson pakica e pakicës, që mundohet të marrë peng, si ligjërimin ashtu edhe atributet e partisë më të madhe opozitare në Shqipëri. Qartësisht këto personazhe nuk e përfaqësojnë vullnetin e popullit opozitar, dhe ambasada amerikane e ka kuptuar këtë. Diplomatët profesionistë dhe përfaqësuesit e shtetit më të fuqishëm dhe demokratik në botë i bëjnë llogaritë në realpolitikë, dhe jo sipas midesë së Gaz Bardhit, fjala që bie.

Realpolitika e 6 marsit na thotë se PD nuk mund të pengohet më për të shkuar drejt profilit të vet. Largimi i z. Basha është hapi i parë drejt kësaj. Paradoksalisht, amerikanët i kanë bërë një shërbim opozitës duke dizejnuar Berishën dhe mbrojtur Bashën. Lëvizja e tyre i ka çuar të dy aktorët nëpër pozicionet e tyre: Berisha është rikthyer në qendër të skenës dhe Basha ka përfunduar përtej vijave fundore, prej nga e patën marrë në vitin 2004.

Përpjekjet për ta penguar ngjarjen e ndodhur, duke imagjinuar shemrën e saj diku në të ardhmen, janë miopi. Aktorët dhe faktorët opozitarë, por edhe vetë amerikanët, që janë përherë të interesuar dhe dashamirës për një bllok opozitar në Shqipëri, duhet të mos kompleksohen nga non grata, por të fillojnë e të shohin brenda kompleksiteteve që ka sjellë 6 marsi në teatrin politik shqiptar.

Në fund të fundit, kjo zonë e botës funksionon me pater familia, që do të thotë se është ende herët për zgjidhjet transgender. Edhe ky vështrim antropologjik, apo sociologjik, i zhvillimeve është doemos realpolitikë

Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...