Ish-kryebashkiaku i zgjedhur nga Edi Rama në Vorës, Agim Kajmaku, u arrestua së fundmi në Itali me 20 kilogramë kokainë.
Ndërsa bënte trafik kokaine, gruaja e tij mësohet se ka fituar më së paku edhe 2.2 miliardë lekë të vjetra nga tenderat e zhvilluar prej institucioneve të drejtuar nga kolegët e tij të Partisë Socialiste.
Prej vitit 2015 e deri në maj të këtij viti, kompania ‘A.M.E 2020’ ka arkëtuar rreth 170 fatura për blerje lulesh dhe fidanësh.
Shoqëria ‘A.M.E 2020’ është zyrtarisht në pronësi Merita Kajmakut, bashkëshorte e Agim Kajmakut.
Kompania është krijuar në vitin 2008, me emrin ‘Kajmaku’ shpk, në pronësi të ish-kryebashkiakut të Vorës.
Pasi ai fitoi votimet mono-partiake të Qershorit 2019, Kajmaku ia dhuroi të gjithë aksionet e kompanisë bashkëshortes së tij.
Pasi Agim Kajmaku u shpall në kërkim për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, shoqëria ndryshoi emrin, duke u quajtur ‘AME 2020’.
Ky ndryshim emërtimi e ndihmoi familjen Kajmaku që të vijonte të fitonte tendera publikë, megjithëse pronari i saj real ishte i kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Në 30 dhjetor të vitit 2019, ndërkohë që Agim Kajmaku i fshihej policisë, kompania private e familjes së tij fitoi me vlerë 50 milionë lekë të vjetra për lulishtet e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, të zhvilluar nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara, në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Po ashtu, në maj të vitit 2020, kur Kajmaku ishte ende në kërkim, shoqëria ‘AME 2020’ fitoi rreth 70 milionë lekë të tjera nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës