Kryetari demokrat, Sali Berisha, foli sot në promovimin e librit ‘Kurrë mos harro’ për gjenocidin serb në Kosovë.
“Së pari, dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë profesor Nusret Pllanës për punën e tij të jashtëzakonshme kërkimore në lëmin e historisë sonë kombëtare, e cila ka fatin e keq të jetë një nga lëmitë më të deformuara të shkencave historike, ndoshta evropiane dhe më gjerë. Për faktin e vetëm, sepse ajo u diktua pothuajse e tëra nga Beogradi për gjysmë shekulli si në Kosovë, edhe në Shqipëri.
Por veprat e profesor Pllanës kanë një vlerë të jashtëzakonshme për një komb, që për fat të keq, në shëmbyllturën e tij psikologjike, ka të njohur jo vetëm inteligjencën, të pranuar universalisht, por edhe dritëshkurtësinë, të cilën e ka paguar dhe do e paguajë derisa të ndahet prej saj,” tha Berisha.
“Tirana zyrtare është sot një Beograd i vogël. Shumë nga ju keni lexuar histori. Tirana e sotme është Tirana e 44-ës. Kurrë ndonjëherë, atë që kanë bërë aradha partizane në Kosovë, nuk do mund ta bënin pa veprën antikombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Jo. Jugosllavia nuk ekzistonte, ishte në letër. Ato gjurmë të njësive partizane të Kosovës, nuk jetonin në Kosovë. Por Kosova kishte një lëvizje nacionaliste. Luftonte si gjermanët, ashtu edhe çetnikët. Divizionet shqiptare shkuan aty, u pritën me flamurin e bashkimit kombëtar, kurse këta shkuan me flamurin e barbarëve serbë. Kjo kulmoi me Masakrën e Tivarit. U vranë me mijëra në Mal të Zi. Por qindra syresh u vranë që nga Kukësi deri në Shkodër. Vetëm pse ishin nacionalistë shqiptarë.
Sot jemi në të njëjtën situatë. Beogradi qeveriset nga një Gebels i Hitlerit. Sivllau i Edi Ramës e thotë me zë e me figurë që për një serb, do vrasim 100 myslimanë. Dhe tani, në vend që Shqipëria të përdorë të gjithë diplomacinë e saj, forcën politike për ta dërguar në Hagë këtë doktrinar të gjenocidit, shndërrohet në avokat kryesor të tij në çdo takim, përfshi Samitin e NATO-s. Në një kohë kur presidenti kroat, në këtë samit, fliste për Kosovën dhe integrimin e saj, Edi Rama fliste për Vuçiçin dhe sesi duhej treguar mirëkuptim për filorusizmin e Serbisë,” tha ai.