Nga Alfred Lela - 10:32, 09/01/2023
Edi Rama ka postuar në soc-rrjet si ‘lajm të mirë’, një frazë që skupcat e gazetarisë online ia mveshin kryeministrit pa kursim- duke e teleevangjelizuar, një çantë "Louis Vuitton" me flamurin shqiptar. Lajmi është se kompania e famshme, dhe shumë e shtrenjtë, ka stampuar në produktet e e saj simbolin e shqiptarëve.
Ky entuziazëm patriotik është në vetvete nacionalizëm foshnjarak dhe i dëmshëm. Në rastin e kryministrit edhe i pastudiuar. Nuk mund të thuhet se do i kthehet në boomerang, sepse në Shqipëri, falë edhe relativizimit total te i cili ka dhënë një dorë të fortë edhe Rama, çdo gjë e padobishme apo dhe e dëmshme, është një gjë që kalon si spektakël e jo më si çështje.
Kryeministri, duke valëvitur flamurin e çantës LV, më së pari bën një reklamë elitiste dhe, së dyti, kryen kundravajtjen e një pandjeshmërie shoqërore. Një çantë e tillë kushton nga 7 deri në 15 mijë dollarë, dhe është e arritshme vetëm prej një numri shumë të vogël shqiptarësh. Veç kësaj, në një vend ku gjysma e popullsisë, sipas raporteve ndërkombëtare, është në kufijtë e varfërisë, një mall i tillë, edhe kur ka flamurin shqiptar (më i bukuri në botë, sigurisht, por edhe më i shkeluri-më së shumti pikërisht nga ata që thonë se është më i bukuri), është një shuplakë e pamundësisë në fytyrën e mjerimit.
Kryeministri duhet ta dijë se kapitalizmi shqiptar vuan nga disa stigma të cilat janë të vetëkrijuara dhe të merituara (ndonjë qëllon të jetë edhe rënie në qafë). Më kryesorja ndër to është se pasunarët e rinj shqiptarë janë parvenu* dhe i përkasin dy apo tri kategorive. Pasardhësve të elitës komuniste me askes te informacioni dhe te suprestruktura ekonomike në fillim të viteve ‘90, të guximshmëve të tranzicionit, dhe të fortëve të malavitës. Stigma tjetër, edhe më e madhe, është se klasa e re kapitaliste vuan një injorancë të thellë (jo ‘vuan nga…’ sepse në këtë rast do të thoshte se e njeh mungesën e vet).
Në një mënyrë, të pandërgjegjshme me siguri, kryeministri e merr çantën e LV dhe e përdor si totem të këtij kapitalizmi. Po pandërgjegjshëm ai ia mvesh këtë vel parvenuje vetes dhe elitës politike të majtë që përfaqëson. Çantat e Elisa Spiropalit, udhëtimet e Arben Ahmetajt, statusi i investitorëve strategjikë dhënë ministrave, jo pak herë e kanë trazuar rrjetin, dhe postimi i Ramës përbën në vetvete konfirmimin e modelit që thellon pabarazinë dhe thekson pandjeshmërinë. Promovimi i këtij modeli, pasi e ke krijuar, është një demonstrim i ashpër vetëkënaqësie. Një marketing gëbelsian.
Çanta që poston kryeministri bëhet kësisoj simbol i (pa)fajshëm i kulturës së përgjithshme, e cila ka zotëruar edhe kryeministrin, megjithë pretendimet se ai nuk vjen nga popkultura, por e shumta e krijon atë. Louis Vuitton-ët e Ramës janë si xhinset në kohën e diktaturës, që visheshin nga pinjollët e udhëheqjes komuniste të Bllokut dhe ëndërroheshin nga masat popullore. Paradoksalisht, të dy sistemet krijuan nënprodukte simuluese. Kështu, në komunizëm, punëtorët e fabrikave merrnin falas nga shteti uniforma të një xhinsi socialist, ndërkohë që masat në kapitalizëm mund ta shfryjnë dëshirimin për Louis Vuitton duke blerë variante kallpe, nga ato që i gjen edhe te tregu çam dhe në dyqanet e shumta të Tiranës plot me produkte kineze dhe turke.
Çka kryeministri nuk thotë, dhe ndoshta as e di, është se pas çantës flamurtare që poston, strehon kryet edhe një element që përshkruan qeverinë që ai drejton, dhe nuk i bën nder as atij dhe as Shqipërisë. Po të bësh një kërkim në internet për çantat ‘kombëtare’ të Louis Vuitton, sheh se përfaqësojnë vende me kredenciale negative, si në të drejtat e njeriut ashtu dhe nivelin ekonomik. Në ekspozitorin e vendeve që kompania e famshme ka zgjedhur për koleksionin e saj futen Arabia Saudite, Xhamajka, Uruguaji, Shqipëria, Makaau, Koreja e veriut apo Argjentina. Kryesisht vende ‘të nënshtruara’ para modelit bling bling që vjen nga Perëndimi, por është tejkaluar aty prej kohësh dhe ka mbetur si kujtim vetëm në videoklipet e këngëve hip hop. Për t’u transferuar në vende, elitat e të cilave nuk janë produkt i drejtpërdrejtë, as i etikës ueberiane (protestante) të punës, as i garës së hapur të tregut, dhe as i rrjedhojave ekonomike të këtyre paradigmave politiko-shoqërore.
Pra, vende që një komedian amerikan i quan the asshole of the world.
*Parvenu: dikush që kohët e fundit ose papritur është ngritur në një pozicion të pazakontë pasurie ose pushteti, dhe nuk ka fituar ende prestigjin, dinjitetin ose manierat që lidhen me të./ Marrë nga Politiko