Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka reaguar në lidhje me intervistën e dhënë në Euronews Albania, nga bashkëshorti i Rozeta Dobit, sanitares e cila kishte vjedhur së bashku me të birin qindra mjëra euro në banesat ku pastronte.
Në intervistë, Spartak Dobi tha se pas arrestimit të familjarëve kishte pasur një takim me Ministrin e Drestësisë, ku ky i fundit i kishte premtuar lirimin e djalit.
Përmes një reagimi zyrtar Ulsi Manja, përgënjeshtron mbajtjen e takimit dhe thekson se deklaratat e Dobit janë shpikur për shkak të gjendjes së tij të rënduar psikologjike. Ministri shton se as nuk është takuar dhe as nuk e njeh fare personin në fjalë.
REAGIMI I MINISTRIT TË DREJTËSISË
Mbrëmjen e djeshme u njoha me një intervistë të dhënë nga bashkëshorti dhe babai i dy të akuzuarve për vjedhjen e një shume parash në Tiranë.
Kushdo që do ta shihte atë intervistë do e kuptonte lehtësisht gjendjen e rënduar të personit të intervistuar.
Dua të besoj se ishte pikërisht kjo gjendje e rënduar arsyeja që e ka shtyrë zotin Dobi të shpikë edhe takimin me mua, apo dialogun imagjinar që paskemi patur me njëri-tjetrin. Por teksa gjendja psikologjike e një pensionisti që vuan arrestimin e djalit dhe gruas mund të kuptohet, është e pajustifikueshme përdorimi që i bëhet këtij personi nga media për qëllime kryekëput politike.
E vërteta është se unë kurrë nuk jam takuar me Spartak Dobin. Madje as nuk e njoh këtë person, as familjarët e tij. Sikurse unë kurrë nuk kam punuar në Bashkinë e Tiranës, pavarësisht pretendimeve të personit në fjalë.
Si Ministër i Drejtësisë, unë mbështes plotësisht hetimet e organeve përgjegjëse dhe inkurajoj zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin e fajtorëve.