“Të nderuar të pranishëm në këtë cunam popullor të revolucionit demokratik.
Shqiptarë dhe shqiptare, kudo që jeni, që keni pritur me padurim këtë ditë, ditën e madhe të siparit të revolucionit demokratik, të përmbysjes së monizmit të dytë në Shqipëri. Një përshëndetje vëllazërore kudo që ndodheni!
Miqtë e mi, do e nis fjalën time me një shprehje të të famshmit, Xhorxh Oruell, i cili shkruan se është akt revolucionar të thuash të vërtetën në kohë gënjeshtre. Ndaj dhe sot, ditën e siparit të revolucionit tonë demokratik, për përmbysjen e monizmit dhe fitores së demokracisë, do themi të vërtetat tona.
Qëllimi më themelor i këtij revolucioni që nis sot është të mbrojmë të vërtetat, por edhe të bëjmë çdo sakrificë që ato të triumfojnë.
Rroftë fitorja!
Në protestën e fundit, opozita pro-perëndimore e Shqipërisë, u tregoi të vërtetën liderëve europianë se Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në Europë, se është kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Të gjithë e mbani mend baltën që hodhi Rama mbi opozitën për ta heshtur atë, të gjithë i mbani mend masat që i mori kundër popullit opozitar për të mos protestuar atë ditë. Të gjithë e mbani mend atentatin që organizoi me një mjeran të paguar, por ai mori turpin botëror. Zëri ynë ushtoi në gjithë botën.
E vërteta kurrë nuk mbulohet dot. E vërteta triumfon gjithmonë, ashtu si rrezja e diellit që shpërndan terrin, e vërteta jonë bëhet gjithmonë e më ndriçuese, në Shqipëri, por edhe te miqtë tanë në botë,” tha Berisha