Kandidati i PD-së i dalë nga procesi i primareve për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka lënë mandatin e deputetit për të garuar për postin e kryebashkiakut të kryeqytetit.
Në fjalën e tij të fundit në Parlament, Këlliçi ka cituar fjalët e stërgjyshit, Masar Këlliçi i cili ka qënë deputet në Parlamentin e parë në tetor të vitit 1921.
Duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimet për banorët e Kombinatit, Unazës së Re, Vaqarrit, Ndroqit, Pezës, Kasharit dhe Mëzezit, të cilët e zgjodhën si përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë, Këlliçi thekson se, ky parlament, në shumicën e vet, është i shkëputur nga realiteti shqiptar dhe problemet e përditshme të qytetarëve
‘Unë lë mandatin dhe zbres në fushë, për t'i dhënë drejtim Tiranës’, shkruan Këlliçi në Facebook.
Postimi i plotë:
I jam mirënjohës dhe falenderues banorëve të Kombinatit, Unazës së Re, Vaqarrit, Ndroqit, Pezës, Kasharit dhe Mëzezit, të cilët më zgjodhën t'i përfaqësoj në Kuvendin e Shqipërisë!
Pas dy vitesh tanimë, jua them nga bindja dhe përvoja, se ky parlament, në shumicën e vet, është i shkëputur nga realiteti shqiptar dhe problemet e përditshme të qytetarëve.
Unë lë mandatin dhe zbres në fushë, për t'i dhënë drejtim Tiranës.
#BashkëFitojmë më #14maj
Fjala e Belind Këlliçit në Parlament:
Deputeti i drejtohet Ministrit të Financave: ‘Prandaj dua të pyes Ministrin e Financave përse veç rrogave i ka pague ma se 11 mijë franga ar këtyre nëpunësve?
Në këtë mënyrë kanë veprue dhe ministra të tjerë, kështuqë për shpërblime janë harxhue ma se 10 mijë napolona.
Këto pare janë harxhue kot, në vend që t’u përdorshin për ndonji shkollë, spital, rrugë e tjera...’
Këto fjalë të thëna në sallën e Kuvendit të Shqipërisë në tetor të vitit 1921 janë fjalët e deputetit të Tiranës, në Parlamentin e parë Masar Këlliçit, stërgjyshit tim.
Dhe është e pafalshme për klasën tonë politike, për të gjithë ata që kanë hyrë e kanë dalë nga kjo sallë, që këto fjalë sot tingëllojnë më aktuale se kurrë.