Projekti “2 miliardë dollarë” është në lupën e Brukselit, i cili ka treguar disa herë skepticizmin për iniciativën personale të Edi Ramës dhe biznesmenit nga Dubai, Mohamed el Alabar.
Së fundmi, Parlamenti Europian ka përsëritur thirrjet e tij drejtuar qeverisë shqiptare për më shumë transparencë dhe respektim të rregullave të Bashkimit Europian.
Në Raportin për Shqipërinë për vitit 2022, të hartuar nga Komiteti për Politikën e Jashtme dhe të miratuar në 31 maj 2023, europarlamentarët janë shumë të qartë për Portin e Durrësit.
Por jo vetëm. Nën objektivin e Parlamentit Europian janë edhe projektet e shumë-diskutuara të hidrocentralit të Skavicës dhe aeroportit të Vlorës.
Për këtë të fundit, europarlamentarët nuk kanë asnjë mëdyshje-ky projekt duhet ndalur.
Porti i Jahteve Durrës
Në dokumentin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, theksohet detyrimi i autoriteteve për të garantuar transparencë dhe konkurrencë në prokurimet publike, kontratat qeveritare, privatizimin, ndihmën shtetërore dhe procedurat e koncesionit.
Parlamenti Europian thekson nevojën për të forcuar masat mbrojtëse, transparencën dhe kushtëzimin në kuadër të një procesi të shqyrtimit strategjik të investimeve të huaja dhe për të ndjekur penalisht incidentet e korrupsionit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, duke luftuar njëkohësisht evazionin fiskal, ndërtimet e paligjshme dhe anashkalimin e sanksioneve.
Duke u treguar më konkret, europarparlamentarët kujtojnë se “procedurat e dhënies së kontratës për projektet e infrastrukturës, duke përfshirë brenda dhe rreth portit të Durrësit, duhet të jenë në përputhje me standardet e BE-së për prokurimin publik sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit” (MSA).
Aeroporti i Vlorës
Edi Rama dhe qeveria e tij janë të vendosur të vijojnë me procedurat për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, pavarësisht se projekti dëmton në mënyrë të pakthyeshme bio-diversitetin dhe rrezikon seriozisht natyrën.
Për këtë projekt, dokumenti i Parlamentit Europian është shumë i qartë dhe pa gjuhë të drunjtë.
Në raport i kërkohet qeverisë shqiptare të ndalojë projektet që rrezikojnë të cenojnë kombëtare dhe normat ndërkombëtare të mbrojtjes së biodiversitetit, si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, dhe për ndalimi i zhvillimit të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura”.
Hidrocentrali i Skavicës
Europarlamentarët kanë vënë në pikëpyetje edhe projektin “500 milionë dollarë” për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, në qarkun e Dibrës.
Për këtë projekt, në dokumentin e Parlamentit Europian i bëhet thirrje qeverisë shqiptare “për përmirësim të transparencës, sjelljes, zbatimit dhe monitorimit të vlerësimeve të ndikimit mjedisor dhe strategjik mjedisor, veçanërisht në projektet me pasoja të mëdha mjedisore dhe socio-ekonomike, si projekti i hidrocentralit të Skavicës; shpreh shqetësimin e tij për ndikimin ekonomik dhe mjedisor të projekteve zhvillimore jokonkurruese të financuara nga jashtë”.