“Nuk duhet të ketë shqiptar që të mos ketë 200 euro në muaj.”
Kështu është shprehur ish-kryeministri Berisha teksa ka nënvizuar se duhet të vendoset minimum jetik, i cili është një goditje ndaj varfërisë.
Berisha deklaroi se nga minimumi jetik përfitojnë 1.3 milionë deri në 1.5 milionë shqiptarë.
“Rikthehemi te problemi ynë.
Problem kryesor ne kemi minimumin jetik. Unë e kuptoj që këta nuk e pranojnë se janë me kompleksin e mohimit dhe pashpirtësisë.
Të refuzosh minimumin jetik, tregon se së paku nuk ta ndien për ta, por ata janë shumë.
Ju e keni konstatuar, të gjitha statistikat tregojnë se varfëria është rritur dhe është përgjysmuar ndihma ekonomike.
Kanë qenë 120 mijë familje në vitin 2013 dhe studimi tregonte se duhej të ishin edhe 180 mijë, pra duheshin të shtoheshin 60 mijë të tjera.
Këta i kanë përgjysmuar dhe arrin puna që sot bashkitë paguajnë më shumë për një qen, paguajnë 60 mijë lekë për një qen dhe paguajnë 40 mijë lekë për një njeri.
Ne duhet ta mbrojmë me forcë çështjen e minimumit jetik. Një çështje që jep impakt të menjëhershëm.
Nuk duhet të ketë shqiptar që të mos ketë 200 euro në muaj.
Kjo është një goditje e fortë e mjerimit, por edhe e varfërisë.
Përfitojnë 1.3 milionë deri në 1.5 milionë shqiptarë.
Ne do ta mbrojmë këtë, e kemi premtuar gjatë fushatës elektorale.
Por minimumi jetik është i sanksionuar me ligj në çdo vend. Kjo është arsyeja pse varfëria ekstreme nuk ekziston më, është e zhdukur.
Sepse japin minimumin jetik, që njerëzit të mos bien në humnerë”, është shprehur Berisha.