Gazetarja shkruan se ka një fjali në dosje që e ka alarmuar më së shumti Veliajn.
Pasi më quajti “njeri që nuk njoh turpin” dhe “killer me pagesë”, i mbylli mesazhet kërcënuese me përshëndetjen “Fundjavë të mbarë”. Në fundjavë, gazetat që i shërbejnë, më sulmuan duke më quajtur… “killer me pagesë”. Fundjava vazhdoi me një fushatë sulmesh e shpifjesh ndaj meje në mediat sociale dhe forumet online nga një ushtri komentuesish të koordinuar.
Pse më sulmoi Veliaj? Artikullin tim për BIRN, unë e nisja me faktin se në janar 2016, kryebashkiaku Veliaj i kërkoi Ministrisë së Financave miratimin e procedurës PPP për menaxhimin e mbetjeve në Tiranë sipas studimit të IFC-së. Në artikull, duke sjellë vetëm fakte nga dosja e SPAK, informova se në vend të projektit të IFC-së për landfill, në fund Veliaj vendosi për incenerator me PPP, për miratimin e të cilit tejkaloi kompetencat.
Por kaq nuk e justifikon ashpërsinë e sulmit ndaj meje. Mendoj se alarmi i Veliajt ka të bëjë me një tjetër fjali që citohej nga dosja e SPAK: “Pra, siç mund të konstatohet personi nën hetim Arben Ahmetaj nuk e pengon këtë procedurë pavarësisht problemeve që ajo paraqiste”. SPAK pohon se procedura e inceneratorit të Tiranës ka probleme dhe Ahmetaj, si ministri ‘gardian’, nuk mbrojti buxhetin e shtetit nga shkeljet e Veliajt.
Dosja vijon me skemën e financimit të koncesionit, ku del se krahu i djathtë i Veliajt i dërgon Klodian Zotos në emailin personal propozimin e planit financiar të inceneratorit të Tiranës! Nëse pronarë të inceneratorit nuk kanë qenë Zoto dhe Mërtiri, përse emaili duhet t’i nisej Zotos? Përse te ‘This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.’ dhe jo te adresa zyrtare e “Integrated Energy Bv Spv”? A lejoi bashkia që bashkëortaku i saj në kompaninë “Eco Recycling” t’i shiste aksionet te “Integrated Energy” pas miratimit të kontratës të inceneratorit? Përse kompania nuk funksionoi më asnjë ditë pas ortakërisë dhe investimet e hedhura aty nga paratë publike humbën? A është bashkëadministrator te “Eco Tirana” (që ka 50% të aksioneve në “Eco Recycling”) i njëjti person që i çonte email Zotos?
Faktet kanë rëndësi më shumë se çdo fyerje dhe sharje!