Në një kohë kur në Kuvend sot vlonte debati për çështjen e arratisjes së ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, për aferën e inceneratorëve, projektligjin për studentët e Mjekësisë, për legalizimin e kanabisit etj. dhe opozita kërkonte me ngulm thirrjen në interpelancë dhe mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama, ky i fundit shëtiste me makinë të hapur së bashku me Zv/Kryeministren Belinda Balluku në rrugët e bregdetit të jugut, Orikum më tej.
Transmetimi i pamjeve të dyshes qeveritare u bë pikërisht në momentin kur Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, luftonte për t’i mbyllur mikrofonin Kryetarit të PD, Sali Berishës, që e cilësoi si turp mosdistancimin e deputetëve socialistë nga aferat e Ramës si dhe që nxitonte t'i rrëzonte me shpejtësi kërkesat e opozitës për llogaridhënie nga kreu i qeverisë.