Teksa pas dy ditësh do të përsëriten zgjedhjet në Rrogozhinë, pasi rezultati u quajt i pavlefshëm duke u kontestuar votat e burgut, vjen një mesazh nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Meta iu është drejtuar me një thirrje qytetarëve që t’u rezistojnë presioneve dhe intimidimeve dhe të rikonfimojnë kandidatin e koalicionit “BF”, pasi sipas tij më 14 maj Hoxha ishte fitues, por rezultati u përmbys përmes votimit të paligjshëm në burgun e Rrogozhinës.
“Qytetarët e Rrogozhinës e bënë zgjedhjen e tyre dhe e zgjodhën kryetarin e tyre, por në mënyrën më mafioze, më të paligjshme, përmes votimit të paligjshëm në burgun e Rrogozhinës, u përmbys vullneti i qytetarëve të lirë të gjithë Rrogozhinës.
Unë i ftoj dhe i inkurajoj të gjithë qytetarët e Rrogozhinës t’u qëndrojnë presioneve, intimidimeve dhe të rikonfirmojnë me vullnetin e tyre përsëri kandidatin tonë z.Hoxha si kryebashkiak i Rrogozhinës sepse jam i sigurt që do të jetë një menaxher i shkëlqyer i atij komuniteti”, shkruan Meta.