Prokuroria e posaçme deklaron se “nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.” duke shpjeguar se “është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. dhe shoqërinë mëmë në Hollandë me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V.”, aktualisht “Geogenix B.V.”.
Kontrata për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të kryeqytetit, me kosto të investimit të parashikuar prej 128 milion euro (pa TVSH) u firmos nga kompania “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k dhe Ministria e Mjedisit, në vitin 2017. Por ende sot e kësaj dite, inceneratori nuk është ndërtuar. Kjo kontratë ka qenë në qendër të akuzave të shumta publike dhe politike. Opozita ka drejtuar gishtin, ndër të tjera, dhe ndaj drejtuesit aktual të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Vënia nën sekuestro është akti i parë i ndërmarrë nga drejtësia për rastin e Tiranës, ndërsa për Elbasanin dhe Fierin, hetimet janë mbyllur dhe çështjet janë drejt përfundimit dhe në Gjykatën e posaçme të shkallës së parë.
Po ashtu, është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k. Nga hetimi janë mbledhur prova se këta shtetas, duke shfrytëzuar perfitimet e paligjshme kanë blerë për llogari të subjektit “F.M.O.” sh.p.k., një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 000 000 Euro, e ndodhur në qytetin e Durrësit.