Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për koncesionin e mbetjeve të Tiranës kanë nxjerrë zbuluar kryeministrin Edi Rama, i cili ka deklaruar publikisht se në këtë projekt është përfshirë një kompani e huaj, me eksperiencë të gjatë.
Në këtë mënyrë, Rama tentoi të shmangte dyshimet se pas inceneratorit të Sharrës, njëlloj si tek ai i Elbasanit dhe i Fierit, pronarët realë janë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Dyshimet e ngritura më herët publikisht nga opozita dhe nga media u konfirmuan këtë të martë. Prokuroria e Posaçme deklaroi se ka arritur në konkluzionin që Zoto dhe Mërtiri janë pronarët realë të kompanisë koncesionare të landfillit të Sharrës, ‘Integrated Energy bv”, si edhe të kompanisë mëmë të saj, “Geogenix bv”, me seli në Holandë.
Në dosjen hetimore për Arben Ahmetaj, SPAK përmend një situatë mbi kompaninë “Integrated Energy bv”. Sipas hetimit, në dhjetor 2016, është dorëzuar një Studim Fizibiliteti për Zonën e Mbetjeve në Tiranë. Ky studim është përgatitur nga shoqëria “Integrated Energy”, e cila ishte në pronësi të tre ortakëve; “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos, “Energy Recuperator” dhe “Paul Wurth”.
Gjithnjë sipas dosjes hetimore, “Integrated Energy bv” u zhvendos në Holandë dhe prej aty u shpall fituese e kontratës koncesionare për landfillin e Sharrës. Por, siç konstatoi së fundmi SPAK-u, pronarët realë të shoqërisë së regjistruar në Hollandë janë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto dhe nuk përmendet më askund shoqëria italiane “Paul Wurth”.