Në vitin 2021, strukturat spitalore publike paguan rreth 15 miliardë lekë të vjetër për shërbimin privat të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, sipas një auditi të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Fatura financiare i takon rreth 60 mijë ndërhyrjeve kirurgjikale. Ky numër operacionesh mund të përballohej lehtësisht me sete kirurgjikale nga Reparti Qendror i Sterilizimit shtetëror, i cili u ndërtua në vitin 2011.
Por, ky repart nuk u vendos asnjëherë në punë nga strukturat publike. Ai iu dorëzua pa asnjë pagesë koncesionarit “Sani Service”, i cili arkëtoi dhe vijon të arkëtojë miliarda lekë nga fondet publike, bazuar në kontratën e dyshimtë të nënshkruar në vitin 2016 me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
“Vlera e shërbimit për vitin 2021 paraqitet në shumën 1,550,245.000 lekë, ndërkohë që numri i ndërhyrjeve sipas tri kompleksiteteve nuk ka kaluar projeksionin prej 63,000 ndërhyrjesh”, thuhet në raportin e KLSH-së.
Një numër i ngjashëm ndërhyrjesh kirurgjikale citohet edhe në një shkresë të datës 25 qershor 2014, të cilën ish-zv/ministri Klodian Rjepaj ia drejton shefit të tij, Ilir Beqaj.
“Reparti Qendror i Sterilizimit ka kapacitet për ripërshtatjen e seteve për 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale”, shkruan ish-numri dy i Shëndetësisë, në atë shkresë, e cila është administruar nga Prokuroria e Posaçme SPAK, në kuadër të hetimit që po zhvillon për kontratën koncesionare.
Pra, duket qartë që reparti publik ishte i aftë të kryente më së miri shërbimin e sterilizimit. Por, për drejtuesit e asaj kohe të Ministrisë së Shëndetësisë u pa më e arsyeshme që, për të njëjtin shërbim, të nënshkruanin kontratën me kosto koncesionare 100 milionë euro me kompaninë private “Sani Service”.
Për këtë kontratë, aktualisht janë marrë nën përgjegjësi penale 7 ish-zyrtarë shëndetësorë dhe aksioneri kryesor i koncesionarit, Ilir Rrapaj.
Gjykata e Posaçme kërkoi nga prokurorët specialë që të thellojnë hetimet edhe mbi rolin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.