“I bëj thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar, të gjithë aleatëve të Kosovës, do të thosha të gjithë aleatëve të të drejtave të njeriut, që të mendojnë pak për nënat, për motrat, për vëllezërit, për prindërit, për familjarët e atyre fëmijëve që ende janë në varrezat masive, në të cilat po fle Serbia edhe 25 vjet pas luftës”, tha Osmani pasi bëri homazhe te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
“Përkundër faktit që gjatë këtij viti u arrit një marrëveshje në Bruksel, dhe pastaj aneksi në Ohër, që ka krijuar obligim të qartë për Serbinë që t’i hapë të gjitha arkivat ku gjinden informatat lidhur me varrezat masive dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, përkundër kërkesës së Komisionit Qeveritar të bërë qysh në fillim të qershorit të këtij viti, drejtuar presidentit të Serbisë që t’i hapë të gjitha ato arkiva në përputhje me marrëveshjet, fatkeqësisht Serbia akoma vazhdon të bëjë shkelje flagrante të këtyre obligimeve e po ashtu do të thosha edhe vazhdon ta ripërsërit krimin e saj duke e fshehur vendndodhjen e personave të zhdukur”, tha Osmani.
Ajo shtoi se të zhdukurit në Kosovës janë plaga më e thellë dhe dhimbja më e madhe në Kosovë.