Pasi u hodh në qarkullim nga ana e familjarëve të dy kushërinjve të dhunuar nga fisi Rraja, raporti mjeko-ligjor, opinioni publik reagoi masivisht kundër mënyrës se si ishin trajtuar dy pacientët e masakruar në shkopinj bejsbolli.
Për ta mbështetur mjekun ligjor, pak orë më vonë, ndërhyn edhe Prokuroria e Tiranës, duke e konsideruar pistoletën në duart e agresorëve “një send që duket si armë zjarri”.
Për shkak të kohës që ka kaluar nga ngjarja, duket se edhe riekspertimi do të bazohet pikërisht në dokumentet mjekësore të trajtimit të marrë nga dy kushërinjtë, dhe nga këqyrja e trupit të tyre, më shumë se dy muaj me vonesë.
Në faqen e parë të akt-ekspertimit numër 1621 të këtij viti, për dëmtimet e shtetasit Bilbil Maja, fillimisht theksohet se ai ka shkuar në spital me tri plagë në kokë dhe dëmtime në krahë. Më pas, në konkluzion, mjeku Elton Serani shkruan se Bilbil Maja ka thyerje të kafkës, dhe shembje të indeve të buta, por dëmtimet nuk janë të rrezikshme për jetën dhe kanë sjellë për pasojë humbjen e aftësisë për punë mbi 9 ditë, duke u klasifikuar si plagosje e lehtë.
Akt-ekspertimi numër 1620 për shtetasin Jashar Maja, evidenton se ai ka pasur një plagë nga goditjet në kokë dhe në trup, ndërkohë që edhe në këtë rast, plagosja konsiderohet e lehtë dhe që ka sjellë si pasojë, humbjen e aftësisë për punë më shumë se 9 ditë.
Këto konstatime sollën të hënën, më 11 shtator reagimin e Prokurorisë e cila theksoi se akuzat nuk kanë ndryshuar dhe se autorët po hetohen për plagosje të rëndë dhe kanosje.