Po çfarë nënvizon Rama se do të flasë në New York? Në një koment të gjatë, ai nxjerr tre çështje, e para si gjithnjë “meritat në arenën ndërkombëtare”, që sipas tij e rendisin Shqipërinë si vend të rëndësishëm që për herë të parë pas 100 vitesh po konsiderohemi “shtet me ndikim”. E dyta flet për reformën në drejtësi dhe e treta diskuton për dialogon Kosovë-Serbi.
Që të trija pikat që Rama veçon se janë “arritje” të vendit, në fakt janë dështimi i tij. Së pari Rama flet për “faktorizim ndërkombëtar” të Shqipërisë. Ne jemi një faktor jo pak i vogël, por faktor kokëçarës për vendet e BE-së dhe SHBA-ve. Jemi tmerri i fqinjëve, sidomos me tonelatat e drogës tonë që në kulmin e qeverisë Rama pushtuan Italinë. Jemi të njohur në arenën ndërkombëtare për raportet që ata sjellin çdo vit për korrupsionin masiv në të gjithë nivelet qeverisëse, aferat me oligarkinë dhe vrasjen e konkurrencës së ndershme të bizneseve.
Jemi të njohur edhe për raportet e zeza të OSBE-ODIHR që ngrenë gjithnjë e më shumë shqetësimin për shitblerje votash, përdorim të administratës publike në zgjedhje për Rilindjen e Ramës dhe angazhimin e frikshëm të botës së krimit gjatë fushatës dhe në ditën e votimit, duke shantazhuar qytetarët. Të gjitha këto janë në raportet që mbesin aty, jo për ca vite, por shekuj me radhë, ku brezat që do të vijnë minimalisht do ndjejnë turp për atë që pushteti po bën sot…
Po drejtësia? Po, kjo është pika që sa herë të përmendet nuk kemi vend për mburrje, por ulje të kokës dhe dhimbjes se drejtësia e re është më e vjetër se e vjetra, duke na kthyer kohë më parë ku partia shkruante vendimet gjyqësore, apo edhe se kush duhet të hetohej dhe kush jo. Prokuroria e Posaçme sot po ha disa bashkëpunëtorë të dikurshëm të Ramës të cilët ai i ka lëshuar vetë, duke i çuar prej veshi në dyert e SPAK-ut.
Si pikë të tretë që Rama mburret është ndërhyrja në konfliktin Serbi-Kosovë. Këtu hesapet janë edhe më të rënda se një politikë ditore, interes pushteti, korrupsion, abuzim apo tjetërsim i një pasurie. Raportet politike me Kosovën janë në pikën e saj më të errët. Kur e gjithë bota kritikonte Serbinë se nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Edi Rama. Po, deri në atë pikë arriti, duke bërë avokatin e një djalli që vendosi të shfaqej dukshëm në krah të aleates së përjetshme Rusisë së Putinit. Po ashtu Rama refuzoi Kurtin teksa qeveria atje përballej me dhunën e çmendur të ekstremistëve serbë që lanë të plagosur mbi 60 ushtarë të KOFOR-it.
Rama anuloi mbledhjen që ishte parashikuar me qeverinë e Kosovës dhe më pas bridhte nëpër Prishtinë duke u lutur të takohej me Kurtin, i cili e refuzoi publikisht disa herë. Por këto çmenduri kryeministrore sot kanë një kosto mjaft të rëndë. Aleaten me të madhe pala serbe fatkeqësisht ka qeverinë shqiptare, si në aspektin politik ashtu edhe atë ekonomik. Edhe pse Rama është shprehur se nuk mund të vijojë më “Ballkani i Hapur” në fakt marrëveshjet janë në fuqi. Të trija këto pika që Rama i quan arritje në fakt janë dështimet më të rënda dhe barrë mbi kurrizin e kërrusur të qytetarëve. Sa për fjalimet që do të mbajë në Neë York nuk janë gjë tjetër përveçse tollumbace propagandistike që e kanë rrugën e shkurtër, jo më larg se Tiranë-Borizanë, në fshatin ku në fakt po luhet drama e fundit e tre aktorëve që janë sëbashku: banda kriminale-qeveri-drejtësi.