Berisha: Të zgjedhurit vendorë të PD-së janë misionarë sepse ata rivendosën pluralizmin politik

Saturday, 16 September 2023 14:04

Me nismën e një grupi kryetarësh të bashkive, dalë nga zgjedhjet e fundit vendore, mbahet sot Asambleja e Përgjithshme e të Zgjedhurve Vendorë Demokratë. 

Berisha u shpreh se të zgjedhurit vendorë të PD-së janë misionarë dhe ata rivendosën pluralizmin politik. 

Së pari, u përshëndes ju shumë përzemërsisht, përshëndes të gjithë të zgjedhurit vendorë të opozitës, kudo që janë, mbështetësit, simpatizantët tuaj dhe theksoj se roli juaj është i një rëndësie të jashtëzakonshme.

Roli i të zgjedhurve vendorë, sot, pas asgjësimit të pluralizmit politik në qeverisjen vendore, në një nga vendimet më antidemokratike që PD mori në vitin 2019, pas reformës territoriale antidemokratike të Edi Ramës në vitin 2014, reformë e cila krijoi pabarazitë më të mëdha në ndarjen territoriale, mjafton t’u kujtoj se rrethe me 1 milion banorë kanë vetëm 4 bashki, ndërkohë që rrethe me 120 mijë banorë, kanë 7 bashki dhe kjo me qëllimin e vetëm se si të grabiten më shumë mandate, duke mos respektuar asnjë nga kriteret mbi të cilat bazohet ndarja territoriale e një vendi.


Kjo pabarazi ekstreme që vendosi Rama me reformën territoriale, u pasua me largimin e madh të të zgjedhurve vendorë nga qytetarët. Qindra të zgjedhur vendorë u zëvendësuan me të emëruar, militantë të partisë, çka e politizoi gjer në palcë këtë pushtet dhe largoi shërbimet nga qytetari.


Largoi shërbimet nga qytetari në zonat ku ishin më të vështira për t’u siguruar. Faktikisht, i largoi ato nga Shqipëria rurale, e cila përbënte së paku 45 përqind të Shqipërisë.
Në reformën e tij territoriale, Edi Rama pretendoi se do të zvogëlojë punonjësit e qeverisjes vendore, në mënyrë që kjo qeverisje të rëndojë më pak mbi shpatullat e qytetarëve shqiptarë. E vërteta është se ndodhi e kundërta. Qeverisja vendore u dyfishua në numër.


Ndodhi një përqendrim total në qendrat e qyteteve, që kanë marrë gjer më sot 2.2 miliardë euro. 2.2 miliardë euro janë vjedhur bashkë me qeverinë nga 5 kompani gjithsej, se të tjerat nuk dinin të shtronin rasa guri.
Por, do të jemi realistë, goditjen e mëshirës, qeverisë vendore ia dha bojkoti i PD, e cila lëshoi çdo pozicion dhe bëri të mundur vendosjen e plotë totale të monizmit në qeverisjen vendore.


Në këtë kontekst, të zgjedhurit vendorë të PD-së, të opozitës, janë misionarë sepse ata rivendosën pas vitit 1992, kur u bënë zgjedhjet e para për qeverinë vendore, rivendosën pluralizmin politik.

Login to post comments