Emri Vata: De-Kriminalizimi i Institucionit të Bashkisë dhe rikthimi i llogaridhënies!

Saturday, 16 September 2023 18:06

Emërimi si Kryetar Bashkie i individëve me rekorde kriminale në 2019 ishte një zhvillim mes dhuratës së Lulëzim Bashës dhe aksidentit politik, teksa caktimi i tij në 14 Maj ishte një krim zgjedhor, pasi u dhunua vullneti i qytetarëve, ndaj në 24 Shtator sfida jonë do të jetë mbrojtja e votës së kuksianëve si një e drejtë themelore për përfaqësim dinjitoz.

Dëmi i tjetërsimit të votës për Bashkinë e Kukësit ka qenë fatal përgjatë këtyre 5 viteve, ku çdo tender ishte i paracaktuar dhe më shumë pati angazhim për strehimin e qenëve se hallet e mijëra banorëve të ndershëm të krahinës sonë, për të cilët Bashkia u kthye si komitetet e dikurshme.

Çdo kush që ka punuar me korrektesë e ndershmëri do vijojë të jetë pjesë e ekipit të këtij institucionit, pasi Kukësi meriton një përfaqësi dinjitoze në çdo hallkë të pushtetit vendor.Pas 24 Shtatorit do ti kërkojë KLSH-së një audit të plotë të këtij institucioni e çdo kush që ka bërë shkelje do përgjigjet para ligjit.

Çdo tender korruptiv do të anulohet dhe paratë publike do të drejtohen tek problemet dhe nevojat e banorëve të Kukësit, pasi për ne Kukësi dhe kuksianët janë të parët dhe jo oligarkët nga Tirana që zhvasin tendera në këtë njësi vendore.

Pas 24 Shtatorit në Bashkinë Kukës do të nisë një faqe e re në raport me llogaridhënien dhe transparecën, ku qytetarët do të informohen se si menaxhohen paratë e tyre, pasi ne nuk jemi në këtë post si tutorë por si shërbëtorë.

Qytetarët do të ftohen në dëgjesa publike ku për çështje të komunitetit së pari do të merret mendimi dhe propozimi i tyre, e më pas ekspertët do të vijojnë procedurat në bazë të projekteve zhvillimore.

Zotimi im është se në ekipin e ri të Bashkisë Kukës, do të jenë përfaqësuesit tuaj më të denjë, bijtë dhe bijat e këtij qyteti që do të punojnë që të rinjtë ta shohin të ardhmen këtu në vendlindjen e tyre.

Modifikuar më Saturday, 16 September 2023 18:27
Login to post comments