Ai tha se kjo situatë dramatike kërkon si zgjidhje vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh për person.
Unë mund t’u them se 48 përqind e totalit të pensionistëve shqiptarë, janë me pagesa të pjesshme. Kështu, në vitin 2022, nga 481.420 përfitues të pensionit të pleqërisë, 231.722 prej tyre janë me pagesë të pjesshme. Vendimi i qeverisë për të sjellë ligjin në parlament për indeksimin e pensioneve në masën 8 përqind është absolutisht një hipokrizi në sensin që nuk indekson as inflacionin. Kjo përqindje është 3 përqind më e ulët sesa vlera zyrtare e inflacionit dhe 5.5 përqind e ulët sesa vlera reale e inflacionit.
Në të gjitha aspektet, ka vetëm një zgjidhje emergjente dhe kjo zgjidhje është vendosja e minimumit jetik për të gjithë shqiptarët.
Vendosja e minimumit jetik, e llogaritur kjo nga Avokati i Popullit dhe i përllogaritur me ndihmën e ekspertëve më të mirë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, pra, vendosja e tij sipas kësaj shifre është përgjigjia e vetme e domosdoshme ndaj situatës alarmante të krijuar me rritjen e çmimeve të produkteve bazë të jetës së qytetarëve.
Në këtë kontekst, PD ka dorëzuar në parlament prej disa muajsh, ligjin për minimumin jetik. Ajo do bëjë të gjitha përpjekjet për votimin e kësaj ligji, i cili është plotësisht i përballueshëm.
KLSH ka gjetur se në një vit, qeveria ka vjedhur dhe shpërdoruar 130 miliardë lekë. Nëse vetëm 40 përqind e këtij fondi do të mund të kursehej, minimumi jetik vendosej duke filluar nga muaji i ardhshëm.
Qëndrimi ndaj këtij ligji dhe ndaj minimumit jetik është një gur prove për të gjithë deputetët e parlamentit, është një akt me të cilin ata dëshmojnë ndjeshmërinë ndaj zgjedhësve shqiptarë. Por është edhe një ndjesë publike që ata u kërkojnë shqiptarëve për dyfishimin, për rritjen stratosferike të rrogave të deputetëve, akt i cili nuk mund të paqtohet nëse nuk bëhen disa votime të rëndësishme në favor të qytetarëve,” tha Berisha.