Socialistët duket se janë gati t’ia japin të drejtën e përfaqësimit në parlament deputetëve të Lulzim Bashës, por Gazment Bardhi konfirmoi nga Kukësi se ambasada e SHBA dhe e BE e kanë njohur tashmë si kryetar të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Bardhi pranoi se është kontaktuar nga ambasada amerikane dhe delegacioni i Bashkimit Europian për nisjen e procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit, një kërkesë që ia ka drejtuar më herët kryetares së kuvendit Lindita Nikolla.
“Ajo që unë kam kërkuar lidhur me procesin e Avokatit të Popullit merr shkas nga një shqetësim që grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në dijeninë time edhe të grupit parlamentar të Partisë Socialiste i ka ardhur nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian” u shpreh Bardhi.
Në kohën që socialistët do të marrin një vendim se kë do të njohin si kryetar grupi të Partisë Demokratike në parlament, Bardhi saktësoi se kontaktin me përfaqësuesit e SHBA dhe BE e ka pasur ai vetë personalisht.
“Unë i jam përgjigjur vetëm një shqetësimi që më ka ardhur nga partnerët tanë strategjikë, përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe delegacionit të Bashkimit Europian, që kanë kërkuar pa humbur kohë të çojmë përpara procesin e Avokatit të Popullit”tha ai.
Përtej procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit, detaji që zbuloi Bardhi mund të konsiderohet kontakti i parë që ambasada e SHBA ka me një grupim, pjesë e të cilit është edhe Berisha, që pas shpalljes së tij non grata. Këtë fakt, amerikanët e kanë kaluar në heshtje duke treguar indirekt se kjo nuk është më një problem i pakapërcyeshëm.
Pas Sali Berisha u shpall non grata në Maj të vitit 2021, ish-ambasadorja amerikane Juri Kim ngulmoi fort që ai të përjashtohej nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe siç dihet këtë vendim e mori Lulzim Basha, në muajt që pasuan. Për ta përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar, Juri Kim arriti deri aty sa të shantazhojë Partinë Demokratike, se po mos ndahej nga Berisha do “hante bar”.
Për këtë, Berisha e sulmoi ashpër duke e quajtur “guvernatore” dhe duke e krahasuar sjelljen e saj me arrogancën e ambasadorit të Bashkimit Sovjetik gjatë diktaturës komuniste.
Berisha nisi betejën e tij për të kundërshtuar ndëshkimin politik që mori nga të vetët dhe me një grusht besnikësh brenda PD-së dhe me infrastrukturën e LSI-së konfirmoi në disa gara zgjedhore se është njeriu me më shumë mbështetje brenda popullit opozitar.
Sot, edhe pse Lulzim Basha vazhdon të mbajë vulat dhe logot e PD-së, Berisha është imponuar në kuvend si pjesë e një grupi prej 43 deputetësh opozitarë, që kryesohet nga Gazment Bardhi.
Mbetet për t’u parë se sa do të ndikojë kjo në planin e socialistëve për të njohur Lulzim Bashën si lider të opozitës.