Avokati Erjon Syziu mendonte se i kishte mbyllur llogaritë me procesin e Rindërtimit në nëntor të vitit 2021 – kur një vendim i papritur për prishjen e pallatit të tij mbërriti në Kombinat.
Deri atëherë, pallati me numër 162 ishte vlerësuar nga disa grupe ekspertësh me nivel dëmi DS2 dhe banorët ishin kompensuar me para të thata nga bashkia e Tiranës për të kryer riparimet.
Vendimi i Këshillit Bashkiak për prishjen e pallatit shkaktoi alarm mes banorëve, të cilët si përfitues të njërit prej programeve të Rindërtimit, rrezikonin të mbeteshin pa shtëpi.
Syziu thotë se gjithashtu se ata dyshuan që në fillim për procedurat dhe e paditën vendimin e prishjes në gjykatë.
“Gjithçka ndodhi krejtësisht në padijeninë tonë dhe pallati ishte vlerësuar si DS4. Ata që kanë bërë akt ekspertizën e thelluar thonë që kanë punuar tek pallati ynë për rreth 3-4 muaj, por ne nuk i kemi parë asnjëherë,” tha ai për BIRN.
Katër vjet pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, dhjetra familje në Tiranë janë ende në procese gjyqësore me pushtetin vendor dhe mijëra të tjerë janë në pritje të zgjidhjes së problemit të tyre të strehimit përmes programit të Rindërtimit.
Ndërkohë, mijëra persona të dëmtuar janë skualifikuar tashmë nga e drejta për të përfituar një banesë të re.
Vetëm në Tiranë janë 4975 aplikantë të skualifikuar nga programi i Rindërtimit ose 25% e totalit të aplikimeve. Në bashkinë e Durrësit – qyteti më i dëmtuar nga tërmeti, skualifikimet arrijnë në masën 3.3%.
Të përjashtuarit nga procesi i rindërtimit u përkasin kategorive të ndryshme, por arsyet më të shpeshta lidhen me pasjen e një shtëpie të dytë në pronësi apo problemet me dokumentet e pronësisë.
Sipas juristëve që po i përfaqësojnë këto çështje në gjykatë, zvarritja e procesit është në dëm të qytetarëve të dëmtuar.
“Ka një dozë mashtrimi me Rindërtimin – jo vetëm Rama, por edhe njerëzit e bashkisë kur kanë shkuar në terren i kanë orientuar njerëzit; ‘mos kini merak se do e zgjidhim’,” tha Dorian Matlija nga qendra “ResPublica”, që ofron ndihmë ligjore për personat e prekur.
“Bashkia ka shfrytëzuar rrethanat për t’i keqorientuar banorët që t’i mbajë ata peng,” shtoi ai.
Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj një kërkese për koment të BIRN ku adresohen pikëpyetjet e ngritura mbi procesin dhe akuzat.
“Gjithçka bëhet për truallin”
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi 51 viktima dhe mijëra të pastrehë të Shqipëri, ndërsa lëkundjet sizmike dëmtuan qindra godina në Durrës, Fushë- Krujë, Tiranë dhe disa bashki të tjera të vendit.
Qeveria shqiptare ndërmori një proces të gjerë rimëkëmbjeje dhe katër vjet më pas ka disbursuar rreth 80 miliardë lekë përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Rreth 65 miliardë lekë të tjera janë prokuruar nga pushteti vendor – ku vendin e parë për vlerën e tenderave të rindërtimit e mban bashkia e Tiranës.
Përgjatë viteve 2020-2021, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi prishjen e 67 pallateve ekzistuese – pjesa më e madhe e të cilave në Kombinat – dhe premtoi se do të ndërtonte një “qytezë’ të re me emrin KombinART me rreth 1300 apartamente.
Por vendimet e prishjes u përballën me kundërshtimin e banorëve dhe me një seri padish në Gjykatën Administrative me pretendimin se procesi ishte antiligjor dhe ekspertizat e thelluara të manipuluara.
Qendra “Respublica” – një organizatë jofitimprurëse në Tiranë që ofron edhe ndihmë juridike përfaqësoi në gjykatë banorët e 15 pallateve kundër vendimeve të prishjes, shtatë prej të cilave thotë se i ka fituar në shkallë të parë, ndërsa për çështjet e tjera vazhdon gjykimi. Bashkia e Tiranës i ka apeluar vendimet.
Matlija thotë se në të gjitha rastet e fituara, gjykata ka konstatuar manipulim të ekspertizave të thelluara, të cilat e kanë paraqitur shkallën e dëmit më të madhe sesa është realisht.
“Në të gjitha rastet kemi tejfryrje të shkallës së dëmtimit dhe fryrje të preventivave të riparimit. Nëse riparimi do të kushtonte 20-30%, ata e kanë çuar deri në 80% si e si të gjejnë mënyra për ta prishur,” tha Matlija nga qendra “ResPublica”.
Edmond Caka, banor prej viteve ‘70 në Kombinat udhëhoqi betejën kundër prishjes së pallateve përmes lëvizjes “Grupimi për Kombinatin”.
“Unë nuk jam kundër shembjes dhe rindërtimit në të njëjtit vend. Por nëse pallati im nuk është i dëmtuar dhe ti do të ma prishësh e të më çosh diku tjetër, atëherë ky është rrëmbim prone,” tha Caka për BIRN.
Ai pretendoi më tej se ekspertimet e thelluara ishin ‘mishërimi i mashtrimit’ dhe pallate me dëmtime të njëjta rezultonin me kosto riparimi të ndryshme.
“Bazuar mbi këto fakte ngritëm pasi dhe gjykata verifikoi se mashtrimet ishin bërë me tonelata dhe pallati im fitoi. Po ashtu, fituan edhe disa pallate të tjera,” shtoi ai.
Në një vizitë në Kombinat në dhjetor 2022, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj akuzoi partitë politike të opozitës për bllokimin e procesit të Rindërtimit – duke i yshtur sipas tij banorët që të ngrejnë padi.
“Në këto dy muaj e gjysmë kemi përfunduar gjyqet, ishin 22 seanca gjyqësore, me ata që hidhnin në gjyq bashkinë të yshtur nga partitë politike. Na vonuan 3 vjet,” tha Veliaj, duke shtuar se duhet të jemi i vetmi vend ku “partitë politike organizojnë protesta kundër punëve publike”.
Por banorët dhe avokatët e intervistuar nga BIRN këmbëngulin se gabimi ishte i bashkisë dhe se vendimet abuzive të prishjeve mund të jenë motivuar nga interesa okulte për trojet e ndërtimit.
“Ne kemi dyshimet tona që gjithçka bëhet për truallin,” tha Erjon Syziu, i cili përveç pallatit të tij përfaqësoi edhe pesë çështje të tjera në gjykatë.
Edhe avokati Matlija nuk e përjashton këtë mundësi.
“Lirimi i truallit është një tendencë,” tha Matlija ndërsa shtoi “tendenca është për t’i shfaros këto pallate të vjetra prej kësaj zone ku janë, për të hapur territore të reja për ndërtim”.
Të skualifikuarit
Kategoritë përfituese nga procesi i Rindërtimit u përcaktuan vetëm një muaj pas tërmetit të 26 nëntorit përmes aktit normativ nr.9 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”.
Sipas tij, përfitues janë ata individë ose familje që kanë mbetur të pastrehë nga fatkeqësia natyrore, me përjashtim të atyre që kanë një banesë të dytë në pronësi në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore. Të përjashtuar janë gjithashtu tregtarët që kanë humbur njësitë e tyre të biznesit.
Bashkia e Tiranës i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi se deri në maj të vitit 2023 kishte administruar 20,230 aplikime, nga të cilat 14,287 aplikantë ishin shpallur përfitues me vendime të Këshillit Bashkiak, 22 aplikantë të tjerë ishin shpallur përfitues me vendim gjykate dhe 4975 të tjerë ishin skualifikuar nga procesi. Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj pyetjes në lidhje me kriteret e përjashtimit të tyre.
Ndryshe nga Tirana, Bashkia e Durrësit tha se ishin skualifikuar nga procesi për përfitimin e një banese të re 93 aplikantë nga 2817 aplikantë gjithsej.
“Arsyet e klasifikimit janë mungesa e dokumentacionit sipas legjislacionit në fuqi, ka në pronësi më shumë se një banesë,” tha Bashkia Durrës në një përgjigje me shkrim.
Vendimi për të skualifikuar të prekurit që kanë një pronë tjetër konsiderohet i padrejtë nga këta të fundit.
Asqeri Xhanari, mjek stomatolog nga Kombinati është njëri nga të skualifikuarit. Pronar i dy apartamenteve në pallatin 140 në Kombinat, Xhanari i humbi të dy pasi bashkia vendosi prishjen e pallatit pa dalë ende një vendim nga Këshilli Bashkiak.
Pronësia mbi një banesë të tretë ku jeton tashmë me fëmijët dhe bashkëshorten e skualifikoi Xhanarin nga programi i Rindërtimit.
“Kjo është si reforma agrare e 1946. Kush je ti që mund të tjetërsosh pronën?” thotë Xhanari me një ton të qetë, ndërsa shton se atij i ka mbetur në dorë hipoteka e truallit.
“Unë mund të kem 100 prona, çdo të thotë kjo? Aq më tepër ky pallat nuk është prishur nga tërmeti, por nga bashkia, madje është prishur edhe pa vendim të këshillit bashkiak,” shtoi ai.
Por ka edhe skualifikime që nuk gjejnë bazë në aktin normativ nr.9 të Këshillit të Ministrave.
A.M është një emigrant shqiptar, që ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare, por në njërin nga pallatet e prishura në Kombinat kishte trashëguar një apartament nga prindërit. Avokati i tij thotë se ai u skualifikua nga procesi për shkak se nuk arriti të merrte një certifikatë familjare në gjendjen civile.
“Ky shtetas i është nështruar diskriminimit, se ky vërtetë hoqi dorë nga shtetësia, por ky është pronar i një prone dhe prona nuk gëzohet në bazë të nënshtetësisë. Kjo është më së paku absurde,” thotë avokati Erjon Syziu që po e përfaqëson në gjykatë.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se në listat e të skualifikuarve janë gjithashtu edhe trashëgimtarët e pronave të prindërve, të cilët kanë ndërruar jetë pas tërmetit të vitit 2019 apo persona me probleme të pronësisë.
Syziu thotë se ka përfaqësuar në gjykatë dhe ka fituar çështjen e një qytetari në Kodër Kamëz, shtëpia e së cilit u dëmtua nga tërmeti.
Sipas bashkisë, ai rezultonte me tre rekorde tek ALUIZNI, dy prej të cilave rezultuan më pas të ishin aplikime për shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti dhe i treti për një dyqan të prishur nga IKMT për qëllimin e zgjerimit të një rruge.
“Pra sipas bashkisë, personi rezultonte me tre prona, por në fakt nuk kishte asnjë, pasi të vetmen që ka është klasifikuar DS4 dhe nuk mund të jetojë në të. Këto mund të verifikoheshin shumë lehtë nga bashkia,” tha ai, ndërsa shtoi se qytetari e gjeti të drejtën në gjykatë.
Dorian Matlija i tha BIRN se dhjetra banorë të skualifikuar kanë kërkuar ndihmën e qendrës ResPublica, ku pjesa më e madhe rezulton të jenë përjashtuar për shkak se ata vetë ose fëmijët e tyre kanë një pronë të dytë.
“Kanë të drejtë të kundërshtojnë vetëm nëse pallati është prishur në mënyrë abuzive dhe nëse vërtetohet, atëherë gjykata të orienton te dëmshpërblimi,” tha ai.
Ndryshe nga Matlija, Syziu argumenton se qytetarët që kanë humbur apartamentin nuk mund të përjashtohen nga procesi i dëmshpërblimit pse kanë një pronë të dytë.
“Në vlerësimin juridik, sikur qytetari të ketë jo një banesë, por 11 të tjera, sa kohë që këto apartamente nuk janë prishur nga tërmeti por nga fadroma e shtetit shqiptar, këto persona duhet të kompensoheshin për çdo m2 të prishur me vendim të Këshillit Bashkiak,” argumenton ai.
Procesi zvarritet, afatet skadojnë
Familja e Tahir Barkajt është e vetmja familje që ka qëndruar në pallatin nr.141 në Kombinat që prej nëntorit të vitit 2019. Pas njoftimit të bashkisë se pallati do të shembej, të gjithë banorët u larguan që aty, por familja Barkaj nuk pranoi dhe e çoi çështjen në gjykatë.
“Babai im jeton këtu prej 50 vitesh, ne kemi lindur dhe jemi rritur këtu dhe nuk kam ndërmend me ik. Vetëm i vdekur iki nga këtu,” thotë Bruno Barkaj.
Familja Barkaj zotëron një shtëpi në katin e parë të pallatit 1+1 dhe 2 dhoma shtesë të legalizuara rreth viteve 2010. Duke qenë se shtëpia fillimisht ka qenë në pronësi të nënës së Tahirit, pas tërmetit të 26 nëntorit dy dhomat shtesë nuk janë marrë parasysh me pretendimin se nuk kishin emrin në certifikatën e pronësisë dhe zotëruesja e pronës ka ndërruar jetë.
Pas shumë peripecish dhe përplasjesh, familja Barkaj thotë se e fitoi gjyqin në shkallë të parë.
“Kanë ardhur vetë ekspertët e caktuar dhe të përzgjedhur nga gjykata dhe kanë bërë tre ekspertiza dhe pas tre vitesh gjyq, pallati doli i banueshëm dhe është vlerësuar DS3,” thotë Bruno.
Megjithëse bashkia e ka apeluar vendimin, banorët e tjerë të pallatit kanë filluar të rikthehen në shtëpitë e braktisura. Katet e para kanë filluar e jepen me qira, ndërkohë që nëpër banesa kanë filluar punimet për t’i bërë sërish të jetueshme dhe po lidhin sërish ujin dhe dritat.
Për avokatin Dorian Matlija, problemi më i madh i të prekurve nga tërmeti aktualisht është skadimi i të gjitha afateve për t’u ankuar apo për të aplikuar për një program tjetër të Rindërtimit.
Dyshues për përfundimin e këtij procesi, Matlija thotë se sa më shumë zgjat ky proces, aq më shumë harrohen disa nga detyrimet apo premtimet e qeverisë.
“Njerëzit i kanë humbur afatet për të bërë veprime juridike dhe në këtë pikë, do të shpresojnë se çfarë mund t’ju japë qeveria me dëshirën e vet, por jo me detyrim,” përfundoi ai.